SPAK: Imuniteti parlamentar mund të dëmtojë hetimet

- Advertisement -

 

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) tha se imuniteti parlamentar ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndal hetimet. Megjithatë, SPAK-u e pranoi se mund t’i vështirësojë apo dëmtojë ato.

Drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, raportoi në Komisionin Parlamentar të ligjeve mbi punën e bërë gjatë vitit 2025 nga institucioni që ai drejton. Ai u pyet nga deputetët e opozitës për çështjen “Balluku”, për të cilën tha se “qëndrimi i SPAK-ut është publik dhe i qartë”, por nuk u përgjigj nëse do të ketë një kërkesë të dytë për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste, Belinda Balluku.

“Unë sot nuk mund të paranjoftoj apo parashpall një vendimmarrje. Çështja është nën hetim. Nuk mund të them si do jetë vendimmarrja, do të këtë apo jo, por garantoj se do jetë e bazuar në ligj, në prova dhe duke marrë parasysh edhe arsyet pse Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës” tha Braho.

Ish-zëvëndëskryeministrja e Shqipërisë akuzohet nga SPAK-u për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë” në tetë raste, ndërsa po hetohet edhe për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë t’ia heqë imunitetin Ballukut, në mënyrë që të jetë në gjendje ta arrestojë.

Në shkurt të 2026, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e shkarkoi Ballukun nga detyra e zëvëndëskryeministres, ndërsa në mars, deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Ramës me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit të deputetes Balluku.

Për vendimin në atë kohë reaguan delegacioni i Bashkimit Evropian dhe disa prej ambasadave në Tiranë duke theksuar se “sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Kreu i SPAK-ut tha se nuk mund të flasë për çështjen konkrete që janë nën hetim, por deklaroi se imuniteti parlamentar krijon problematika në punën e institucionit të themeluar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.

“Sa i përket situatës kushtuese dhe ligjore, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndalon Prokurorinë të zhvillojë hetime, të plota dhe të pavarura. Sigurisht ndonjëherë mungesa e një mase mund ta vështirësojë një hetim të caktuar, edhe mund ta dëmtojë, por ne nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime kushtetuese apo ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, tha kreu i SPAK-ut, Klodian Braho.

Ndryshimet kushtetuese që Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2012, hoqën nevojën për autorizim parlamentar për hetimin dhe ndjekjen penale të deputetëve. Autorizimi kërkohet vetëm për arrestimin ose vendosjen e masave të sigurimit që kufizojnë lirinë e deputetit.

Në raportin e SPAK për vitin 2025 theksohet se ka pasur 871 procedime penale të hetuara, një rritje prej rreth 4.9 për qind krahasuar me vitin paraprak. Tridhjetë zyrtarë të lartë kanë qenë nën hetim, ndërsa rreth 45.4 milionë euro pasuri janë sekuestruar dhe konfiskuar. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kriptovaluta me vlerë rreth 12.4 milionë eurosh.

Drejtuesi i SPAK-ut foli për marrëdhënie shumë të mira me Policinë e Shtetit e megjithatë tha se institucioni që ai drejton dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të kenë më shumë pavarësi operacionale në terren.

“Policia e Shtetit është partneri ynë kryesor, por ne presim më shumë nga Policia dhe ka vend për më shumë. Kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë, apo të dënuar në mungesë, vendime të cilat nuk janë ekzekutuar dhe ky është një shqetësim real. Nuk dua të bëj diçka publike sot, por ajo që dua të them është që po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK-u për të qenë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Braho.

Një operacion të tillë, SPAK e ka kryer një ditë më parë. Në njoftimin e bërë publik pasditen e së premtes, theksohet se Byroja Kombëtare e Hetimit (struktura operative hetimore brenda SPAK-ut) në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Antimafia të Barit, në Itali, arrestuan në Shkozet të Durrësit, shtetasin shqiptar me inicialet A.Ç.

“Në momentin e arrestimit, ai kishte në zotërim një pistoletë automatike me dy karikatorë si dhe katër dokumente të falsifikuara, mes të cilëve një kartë identiteti dhe patente italiane. Këto elemente tregojnë lëvizjen e shpeshtë si dhe lidhjen me Italinë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Ura” i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare, atyre italiane dhe belge më 21 maj 2025. Së bashku me 51 persona të tjerë akuzohet për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe krime të tjera të lidhura me to. I arrestuari do të ekstradohet në Itali.

 

Të ngjashme

Të fundit