Drejtori Ekzekutiv i Sbunker, Fitim Gashi, në emisionin Tempus të Betimit për Drejtësi, ka thënë se vonesat e Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes janë pasojë e bllokadës politike në vend.
Lidhur me këtë, Gashi fajësoi partinë në pushtet, e cila ka qeverisur e vetme gjatë viteve të fundit.
“Tash po përmendet humbja e këtyre 40 milionë eurove, e së fundmi patëm edhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian se këto mjete tashmë do t’u shpërndahen shteteve të rajonit që kanë avancuar shumë më tepër se Kosova në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Nëse krahasojmë me periudhat e kaluara, Kosova ka qenë edhe para këtyre shteteve në çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Gashi.
Sipas Gashit, Kosova rrezikon të humbë sërish fonde.
“Ngecjet kanë ndodhur gjatë viteve të fundit dhe, padyshim, përgjegjësia politike i takon partisë në pushtet, e cila ka qeverisur gjatë këtyre viteve… Madje, Kosova rrezikon të humbë përsëri fonde”, shtoi Gashi.
Paraprakisht, panelisti Jeton Zulfaj sqaroi se si ndodhi humbja e rreth 43 milionë eurove.
“Përllogaritja është rreth 43 milionë, por nuk mund të themi me saktësi, sepse, ta zëmë, te strategjia kundër krimit të organizuar, njëri nga nënhapat është fondi i konfiskimit. Pra, a mund ta llogarisim nëse e kemi plotësuar? Kjo varet nga Bashkimi Evropian”, tha Zulfaj.






