Shumica e skocezëve do të votonin sërish që Skocia të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një sondazhi të publikuar këtë të martë, dhjetë vjet pas referendumit të pavarësisë.
Më 18 shtator 2014, Skocia votoi 55% kundër propozimit të pavarësisë. Më pak se 45% votuan pro.
Një dekadë më vonë, tendenca mbetet e njëjtë, sipas anketuesit YouGov: nga të anketuarit që shprehën një opinion për këtë çështje, 56% do të votonin për të mbajtur status quo-në, krahasuar me 44% që mbështesin pavarësinë.
Rreth 8% e të anketuarve thanë se “nuk e dinë” se si do të votonin nëse një referendum do të mbahej sot.
Rezultati i vitit 2014 ishte një goditje e rëndë për aspiratat e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) pro-pavarësisë. Dy vjet më vonë, referendumi i Brexit e solli përsëri çështjen në plan të parë, pasi shumica e skocezëve kundërshtuan daljen nga Bashkimi Evropian, Nicola Sturgeon, asokohe kryeministre skoceze dhe udhëheqëse e SNP-së, bëri thirrje për një referendum të ri me argumentin se Brexit ndryshoi faktet.
Lufta për pavarësi, megjithatë, duket se ka arritur në një ngërç. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar hodhi poshtë në vitin 2022 synimin e Edinburgut për të mbajtur një referendum të ri pa pëlqimin e Londrës. SNP, e udhëhequr tani nga John Sweeney, është kritikuar për vendosjen e tepërt të peshës ndaj pavarësisë në vend që të merret me problemet e përditshme të qytetarëve, si shëndetësia dhe arsimi. SNP pësoi një goditje tjetër në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut, pasi zgjodhi vetëm 9 deputetë nga 48 që kishte në Dhomën e Përgjithshme të Komunave.
Sipas sondazhit, votuesit e rinj do të mbështesin pavarësinë, ndërsa vetëm 27% e mbi 65-vjeçëve janë pro. Megjithatë, shumica (70%) nuk duan një referendum të ri brenda 12 muajve të ardhshëm. Pothuajse një në tre (37%) do të donte që një referendum të mbahet brenda pesë viteve të ardhshme dhe 43% brenda dekadës së ardhshme.