Skandaloze/ Ndërrohen foshnjat në Spitalin Amerikan 2 – infermierja e palicencuar, Inspektorati shqipton veç vërejtje me shkrim

- Advertisement -

Një ngjarje skandaloze ka ndodhur në “Spitalin Amerikan 2” në Graçanicë, ku një foshnje e porsalindur është ngatërruar nga stafi mjekësor dhe nënës i është dorëzuar një foshnje tjetër.

Siç raporton Veriu.info, duke iu referuar dokumenteve zyrtare të siguruara nga Inspektorati Shëndetësor, ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes së foshnjës.

Sipas ankesës së babait, stafi mjekësor e kishte marrë foshnjën rreth orës 23:00, ndërsa të nesërmen ia kishte kthyer bashkëshortes një bebe tjetër. Kur nëna kishte vërejtur se foshnja nuk ishte e saj, shqetësimi i saj fillimisht ishte neglizhuar nga personeli mjekësor.

Pas insistimit të prindërve dhe krahasimit të fotografive, stafi kishte kontrolluar shiritin identifikues, duke konstatuar se foshnja i përkiste një pacienteje tjetër.

Inspektorati Shëndetësor, pas inspektimit në spital, kishte konstatuar mangësi në identifikimin dhe verifikimin e foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Në raport thuhet se personeli nuk e kishte marrë seriozisht dyshimin e saj dhe kishte vepruar vetëm pas insistimit të prindërve.

Por, gjetjet nuk përfunduan me kaq. Sipas dokumenteve të siguruara nga Veriu.info, infermierja Vlora Rama, e cila ia kishte dorëzuar nënës foshnjën e gabuar, nuk ishte e lajmëruar dhe as e licencuar nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.

Për këtë arsye, Inspektorati ia kishte ndaluar asaj ofrimin e shërbimeve shëndetësore deri në lajmërimin dhe licencimin përkatës.

Pavarësisht ndërrimit të foshnjave dhe konstatimit se infermierja nuk ishte e licencuar, ndaj “Spitalit Amerikan 2” nuk ishte shqiptuar gjobë. Inspektorati Shëndetësor i kishte dhënë institucionit vetëm vërejtje me shkrim.

Në raportin e inspektimit, rasti është cilësuar si dështim në zbatimin e masave për sigurinë e pacientit dhe identifikimin e saktë të të porsalindurve.

Të ngjashme

Të fundit