11.5 C
New York
Thursday, February 27, 2025

Buy now

Skandali i votimit të shumëfishtë, Prokuroria duhet të veprojë menjëherë!

- Advertisement -

Nga Artan Nimani

Procesi zgjedhor është një nga shtyllat kryesore të demokracisë, dhe çdo shkelje e tij dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Por zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë nxjerrë në pah një problem serioz, përveç vonesave në publikimin e rezultateve dhe “problemeve teknike”,: keqpërdorimin masiv të votës, përmes votimit të shumëfishtë dhe manipulimeve të tjera që cenojnë ndershmërinë e rezultatit.

Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, janë identifikuar 868 raste të votimit të shumëfishtë, ku një person ka votuar më shumë se një herë, madje në disa raste deri në 10 herë
Përveç kësaj, janë zbuluar 19 persona të tjerë që kanë votuar fizikisht në ambasada, ndërkohë që kanë dërguar votën edhe përmes postës, duke shkelur ligjin zgjedhor. Këto shifra nuk përfaqësojnë vetëm disa raste të izoluara, por një skandal të mirëfilltë që ngre dyshime serioze mbi sigurinë dhe ndershmërinë e procesit të votimit.

Sipas Nenit 213 të Kodit Penal të Kosovës, keqpërdorimi i të drejtës së votimit është një vepër penale e dënueshme me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet. Pra, kemi të bëjmë me një krim të rëndë që ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin e zgjedhjeve. Përse deri tani nuk ka asnjë masë konkrete? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë manipulim flagrant?

Në një vend me standarde të vërteta demokratike, një skandal i tillë do të shkaktonte tronditje të madhe dhe veprime të menjëhershme nga institucionet përkatëse. Por në Kosovë, duket se ky problem po kalon pa reagimin e duhur, ndërsa qytetarët e ndershëm vazhdojnë të humbin besimin tek institucionet që supozohet t’i mbrojnë ata.

Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime dhe të sigurojë që të gjithë ata që kanë manipuluar votën të përballen me drejtësinë. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të japë llogari se si ka ndodhur kjo shkelje dhe çfarë masash do të ndërmerren për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë në zgjedhjet e ardhshme.

Vota është themeli i demokracisë. Nëse ajo manipulohet, nuk mund të flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Heshtja nuk është opsion-është koha për veprim të menjëhershëm!

Prof.Asoc.Dr. Artan Nimani
Forumi Intelektual E30

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit