Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përdorimin e veturave zyrtare të institucioneve të Kosovës, duke akuzuar për mungesë transparence dhe manipulim.
Rrahmani ka publikuar dy fotografi, ku sipas tij, shihen dy vetura që janë pronë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëra me targa civile dhe tjetra me targa zyrtare. Ai aludon se ky ndryshim bëhet qëllimisht për të fshehur përdorimin e tyre nga qytetarët.
“Sot qytetari nuk mund të dallojë kur një makinë e shtetit përdoret për punë zyrtare e kur shkon për fundjavë në det, kur del me ble speca apo kur shkon te dajtë”, ka deklaruar ai.
Sipas deputetit, pothuajse të gjitha veturat zyrtare tashmë janë pajisur me targa civile, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre dhe duke hapur rrugë për keqpërdorim.
Ai ka kërkuar llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme dhe në dëm të besimit publik.






