Vullnet Bugaqku nga KDI e ka cilësuar situatën aktuale politike dhe institucionale në Kosovë si të paprecedentë, duke ngritur shqetësime për mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe pasojat që mund të ketë kjo situatë për institucionet e vendit.
Në një intervistë për Klan Kosovën, Bugaqku ka thënë se ekziston baza për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë besoj që ka bazë të mjaftueshme për të dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese, sidomos edhe çështja e shkeljes së raportit 30 për qind, saqë kjo po e mban peng edhe çështjen e sqarimit apo krijimit të qartësisë se a është apo jo legjitim ky parlament, a janë apo jo legjitime këto mandate të deputetëve të Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Bugaqku ka folur edhe për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, ku sipas tij, një masë e tillë do të mund të shërbente për të parandaluar pasoja të mëtejshme institucionale.
“Unë besoj që bashkë me kërkesën për shqyrtim ose vlerësim të kushtetutshmërisë do të duhej t’i bashkëngjitej edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme”
Ai gjithashtu e ka cilësuar legjislaturën aktuale si një rast të jashtëzakonshëm, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
“Kjo është, të themi ashtu, legjislatura dhe situata më e paprecedentë që ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por mbase edhe në rajon e mbase edhe në Evropë. Unë nuk kam parë, nuk kam lexuar dhe nuk kam hasur raste kur një shtet, të themi ashtu, deputetët e atij shteti lejojnë një gjendje të tillë dhe veprojnë tërësisht në gjendje jokushtetuese të qëllimshme, duke kalkuluar për interesa qoftë partiake apo politike të ngushta, duke rrezikuar rendin kushtetues, madje edhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka thënë Bugaqku./






