Në tetor të vitit 2013, gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës, Banka Botërore publikoi raportin Doing Business 2014, ku Kosova u rendit ndër 10 vendet kryesore në botë për reforma në klimën e biznesit, shkruan Demokracia.com.
Sipas raportit, kjo ishte hera e parë që Kosova hynte në top 10, ndërsa hera e dytë ndodhi në vitin 2018, kur ministër i Financave ishte Bedri Hamza.
Raporti i “Të Bërit Biznes” identifikon Kosovën si një nga dhjetë reformatorët më të mirë në botë”, thuhej në raportin e Bankës Botërore, dhe raporti me këtë titull gjendet edhe sot në faqen zyrtare të Bankës Botërore.

Raporti vlerësonte reformat e Kosovës në tre fusha kryesore:
1. Hapjen e një biznesi – Kosova krijoi qendra të vetme për themelimin e biznesit, ku sipërmarrësit mund të marrin certifikatën e biznesit, numrin fiskal dhe certifikatën e TVSH-së në një procedurë të vetme, duke reduktuar kohën e nevojshme nga 52 ditë në vetëm 12 ditë.
2. Regjistrimin e pronës – U prezantua një sistem i ri noterial dhe procedura të kombinuara për hartimin dhe legalizimin e marrëveshjeve të shitjes dhe blerjes. Kadastra u modernizua përmes kompjuterizimit dhe konsolidimit të bazave të të dhënave rajonale.
3. Lejet e ndërtimit – Procesi i lëshimit të lejeve u thjeshtua dhe tarifat u bazuan në rikuperimin e kostove, duke e bërë më të lehtë për bizneset të përmbushin kërkesat ligjore.
Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, theksoi: “Rezultatet e raportit Doing Business njohin përpjekjet e Kosovës për të adresuar pengesat kryesore në klimën e saj të biznesit. Me fokus të vazhdueshëm në axhendën e reformave, janë vendosur elementë kritikë për të përshpejtuar regjistrimin e bizneseve, për të formalizuar aktivitetet ekonomike, për të nxitur zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për të përmirësuar situatën në tregun e punës.”
Në vitin 2018, Kosova hyri përsëri në top 10 për shkak të përmirësimeve të mëtejshme: procedurat e hapjes së bizneseve u bënë edhe më efikase, regjistrimi i pronës u thjeshtua dhe u rrit efikasiteti, ndërsa procesi i lejeve të ndërtimit u bë më transparent dhe i thjeshtë.







