Sindikata e Policisë dënon dhunën në protesta: Policët nuk janë palë në asnjë debat politik

- Advertisement -

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar aktet e dhunës, hedhjen e mjeteve piroteknike dhe mjeteve të forta ndaj zyrtarëve policorë gjatë protestave të fundit në Prishtinë.

Në një komunikatë për media të publikuar të martën, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore dhe duhet të respektohet e garantohet.

Megjithatë, sipas SPK-së, kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve të tjerë.

“Policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik. Ata janë profesionistë të uniformuar, të cilët në këto rrethana kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve”, thuhet në reagim.

Sindikata ka shprehur mbështetje për të gjithë zyrtarët policorë të angazhuar në terren, duke thënë se ata po kryejnë detyrën e tyre për ruajtjen e rendit, sigurisë, institucioneve dhe qytetarëve.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja”, thuhet në komunikatë, ku shtohet se shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë të protestuesve dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve.

SPK ka bërë thirrje që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos shndërrohen në përplasje me policinë.

“Çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është një prind, një fëmijë, një vëlla apo një motër që në fund të ndërrimit pret të kthehet shëndoshë e mirë pranë familjes së tij”, thuhet më tej.

Në fund, Sindikata ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, duke kërkuar që çdo veprim ndaj tyre të vlerësohet mbi bazën e ligjit dhe jo mbi baza politike.

Të ngjashme

Të fundit