“Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij s’kthehet më?” – emocionon vëllai i Erona Coklit në protestë

- Advertisement -

Në protestën mbarëkombëtare të mbajtur në Prishtinë kundër vrasjes së grave, ishte i pranishëm edhe Drilon Cokli, vëllai i Erona Coklit, e cila u vra më 12 prill 2024 në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Ferizaj.

Ai mbajti një fjalim prekës para protestuesve, duke rrëfyer dhimbjen e familjes pas humbjes së Eronës dhe duke kërkuar që rasti i saj të trajtohet me seriozitetin që meriton.

“Me 12 prill 2024 humba motrën time, Eronën, dhe që nga ajo ditë jeta ime nuk është më e njëjtë. Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur e shoh nipin tim duke e përmendur nënën e tij, duke e kujtuar dhe ndjerë mungesën e saj. Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij nuk mund të kthehet më? Si mund t’ia mbushësh boshllëkun që askush nuk mund ta zëvendësojë?”, u shpreh ai.

Tutje, vëllai i Eronës theksoi se familja nuk është e kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burgim për dorasin, duke nënvizuar se asnjë dënim nuk mund ta kthejë motrën e tij, por se ajo meriton drejtësi.

“Ne si familje nuk jemi të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burg. Për ne, asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën, por besojmë se jeta e saj meriton drejtësi dhe dhimbja e familjes sonë duhet të dëgjohet, kërkojmë që drejtësia të vihet në vend dhe rasti i saj të trajtohet me seriozitetin që e meriton…” , tha Drilon Cokli

Të ngjashme

Të fundit