​Haradinaj uron për Ditën e Forcës: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik për sigurinë e Kosovës

- Advertisement -

Ish-kryetari i Aleancës Ramush Haradinaj deklaroi sot hyrja e Kosovës në Paktin Veri-atlantik do të kishte rëndësi të madhe për sigurinë e vendit, rajonit dhe paqen në botë.

Me rastin e Ditës së Forcës, Haradinaj ka thënë se dyert e hapura sot në FSK mundësojnë të dimë më shumë për jetën ushtarake dhe sukseset e vajzave dhe djemve, të cilët me përkushtim dhe vendosmëri janë në ballë të mbrojtjes së lirisë së fituar me gjak dhe sakrificë dhe të ruajtjes së paqes.

“Urime “Dita e Forcës”, Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj, transmeton KosovaPress

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) shënon sot Ditën e Forcës, duke hapur dyert e kazermave për qytetarët në 8 kazerma: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin dhe Prizren.

Në kuadër të kësaj dite, qytetarët kanë mundësi të njihen nga afër me pajisjet ushtarake, kapacitetet dhe punën e pjesëtarëve të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Ajo ka rreth 4 500 deri në 5 000 pjesëtarë aktivë, ndërsa sipas planit të tranzicionit synohet të arrijë në 5 000 pjesëtarë aktivë dhe 3 000 rezervistë (gjithsej 8 000) deri në vitin 2028.

Të ngjashme

Të fundit