13.5 C
New York
Saturday, April 19, 2025

Buy now

Shtetasja amerikane e lindur në ShBA është urdhëruar të largohet nga vendi

- Advertisement -
Avokatja e emigracionit nga shteti federal amerikan Massachusetts, e cila është shtetase amerikane e lindur në SHBA, ka folur publikisht pasi ka marrë një e-mail nga autoritetet e emigracionit gjatë administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, ku i thuhej se duhet të largohej nga vendi.

Sipas The Guardian, Nicole Micheroni përshkroi se më 11 prill kishte marrë një e-mail me titullin “njoftim për heqjen e statusit të përkohshëm”.

“Është koha të largoheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse nuk largoheni menjëherë nga Shtetet e Bashkuara, mund të bëheni subjekt i masave të mundshme ligjzbatuese që do të rezultojnë në dëbimin tuaj nga Shtetet e Bashkuara”, thuhej në e-mail.

“Në fillim mendova se ishte për një klient, por kur e pashë me kujdes, emri i vetëm në e-mail ishte imi”, tregoi ajo për NBC Boston dhe shtoi se “ka shumë gjasa, shpresoj, që e-maili të jetë dërguar gabimisht. Por, është pak shqetësuese që mesazhe të tilla po u dërgohen shtetasve amerikanë”.

Lajmi për e-mailin që mori Micheroni vjen në një kohë kur administrata amerikane po zhvillon një fushatë agresive për largimin e shtetasve të huaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe ata që ndodhen atje ligjërisht dhe që nuk janë të akuzuar për vepra penale.

Trump gjithashtu ka folur publikisht për mundësinë e dëbimit të shtetasve amerikanë që kryejnë vepra të paqarta penale, duke i dërguar në burgje në Salvador. Ekspertët thonë se dëbimi i shtetasve amerikanë nga SHBA është i paligjshëm.

Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS) i tha NBC Boston se Micheroni mund të ketë marrë njoftimin sepse emri dhe të dhënat e saj të kontaktit ndodheshin në dokumentacionin e klientëve të saj.

Micheroni, e cila është avokate për të drejtën e emigracionit prej 12 vitesh, tha se nuk kishte parë ndonjëherë më parë që një status i përkohshëm të hiqej përmes e-maili.

Ajo shtoi se personalisht nuk ishte e shqetësuar për këtë gabim, por e shqetëson fakti që mesazhe të tilla mund të frikësojnë emigrantë të tjerë, madje edhe shtetas amerikanë, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për frikësim dhe presion ndaj njerëzve që të largohen nga vendi.

 

Të ngjashme

Të fundit