Shqipëria i beson përvojës italiane, kush do të jetë trajneri i ri i Kombëtares

- Advertisement -

Italiani Rolando Maran është trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, duke marrë drejtimin e kuqezinjve pas një periudhe rreth një viti pa angazhim në pankinë.

Për rreth një vit, tekniku italian ka qenë pa skuadër, ndërsa tani Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar drejtimin e Kombëtares, me synimin për të sjellë stabilitet dhe përvojë në pankinën kuqezi.

Maran, i lindur më 14 korrik 1963 në Itali, është një trajner me përvojë të gjatë në futbollin italian, si në Serie A ashtu edhe në Serie B. Ai ka qenë më parë edhe futbollist, ku karrierën si mbrojtës e ka zhvilluar kryesisht te Chievo Verona, klub me të cilin ka kaluar një pjesë të rëndësishme të viteve si lojtar.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 1997, Maran nisi menjëherë karrierën si trajner, fillimisht në sistemin e të rinjve te Chievo, më pas duke kaluar në klube si Brescia, Cittadella, Bari, Triestina dhe Vicenza në Serie B. Ai u bë më i njohur në elitën e futbollit italian gjatë drejtimit të Catanias, ku në sezonin e parë arriti një renditje historike në vendin e 8-të në Serie A, duke regjistruar një nga sezonet më të suksesshme të klubit.

Më pas, Maran ka drejtuar edhe Chievon për disa sezone në Serie A, si dhe Cagliarin, ku në fillim arriti rezultate të mira dhe e vendosi skuadrën përkohësisht në garë për zonat europiane, por më pas rezultatet ranë. Ai ka pasur gjithashtu një eksperiencë te Genoa dhe Pisa, ndërsa angazhimi i tij i fundit ishte te Brescia, ku u largua në fund të vitit 2024.

Maran njihet për stilin e tij të organizuar taktikisht dhe për punën e kujdesshme me skuadrat në fazën mbrojtëse, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të përshtatet me futbollin dhe objektivat e Shqipërisë në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare

Të ngjashme

Të fundit