Shënohet 118-vjetori i Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne në Drenas

- Advertisement -

Në Sallën e Kulturës në Drenas, sot është mbajtur Akademia Solemne me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike që shënoi një moment vendimtar në njësimin e alfabetit shqip dhe në konsolidimin e identitetit kombëtar.

Në këtë akademi morën pjesë Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Burim Bujupi, komandanti i Stacionit Policor, Driton Morina, drejtorë të drejtorive komunale, drejtorë të shkollave, përfaqësues të artit dhe letërsisë shqipe, nxënës, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

Fjalën e rastit para të pranishmëve e mbajti Nënkryetari i Komunës, Arben Shala, i cili vlerësoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe kontributin e delegatëve e rilindasve në unifikimin e alfabetit shqip, si një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Po ashtu, për rëndësinë e shënimit të kësaj date dhe rolin e arsimit në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, foli edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka.

Kumtesën historike për Kongresin e Manastirit e prezantoi Prof. Dr. Driton Tiku, doktor i shkencave të historisë, i cili përmes trajtimit të kësaj ngjarjeje solli një pasqyrë të rëndësisë së Kongresit, rrethanave historike dhe përpjekjeve të atyre që kontribuan në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Akademia u pasurua edhe me program kulturor e artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollave të Komunës së Drenasit, të cilët përmes interpretimit dhe pikave artistike përcollën mesazhe atdhedashurie, respekti për historinë dhe krenarie për gjuhën shqipe.

Kongresi i Manastirit mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, ndërsa shënimi i përvjetorit të tij është një kujtesë e vazhdueshme për rëndësinë e gjuhës, arsimit, kulturës dhe ruajtjes së vlerave kombëtare, të cilat duhet t’i përcjellim e kultivojmë edhe te brezat e rinj.

Gjuha shqipe është identiteti ynë, trashëgimia jonë dhe një nga vlerat që na bashkon.

Të ngjashme

Të fundit