ShBA paralajmëron Kanadanë: Një luftë tregtare do të ishte katastrofike për ju

- Advertisement -

Sekretari i Transportit i SHBA-së, Sean Duffy tha sot se Kanadaja nuk mund të lejojë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, pasojat e së cilës do të ishin “katastrofike” për të. Ai shprehu besimin se kryeministri kanadez, Mark Carney do të kthehet në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje.

Carney njoftoi dje kundërmasa kundër çelikut ose produkteve të qumështit amerikan, pasi hodhi poshtë “marrëveshjen e keqe tregtare” të propozuar nga Uashingtoni.

“Ne jemi partnerë shumë të mirë tregtarë, por Kanadaja përfiton më shumë nga tregtia e saj me Shtetet e Bashkuara sesa përfitojnë Shtetet e Bashkuara nga tregtia e tyre me Kanadanë. Të imagjinosh se ata mund të angazhohen në një luftë me Donald Trump dhe ta fitojnë këtë luftë me SHBA-në është marrëzi nga ana e tyre. Mendoj se do ta shohim Mark Carney-n të kthehet në tryezën e negociatave shumë shpejt, sepse kjo do të ishte katastrofike për vendin e tij”, tha Duffy.

Kujtojmë që kryeministri kanadez njoftoi vendosjen e tarifave të reja kanadeze duke filluar nga 8 shtatori, të cilat do të ndikojnë, ndër të tjera, në industritë amerikane të çelikut dhe qumështit.

Masat hakmarrëse janë një përgjigje ndaj hyrjes në fuqi dje të tarifave të reja shtesë amerikane prej 50%, të cilat ndikojnë në 5.5% të eksporteve kanadeze në Shtetet e Bashkuara.

Pas javësh negociatash, kreu i qeverisë kanadeze vendosi të premten t’i ndërpresë ato, pak para se të skadonte ultimatumi i Shtëpisë së Bardhë.

“Kur sulmohesh, je në luftë. Ne u sulmuam”, tha Mark Carney, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara “kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”.

Të ngjashme

Të fundit