-2.9 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

ShBA-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për mallrat nga Serbia

- Advertisement -

SHBA-ja ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.

Ambasada  e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë, në një përgjigje për platformën e lajmeve “Kossev” në gjuhën serbe, ka thënë se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdare për mallrat nga Serbia.

Kjo lëvizje e Qeverisë së Kosovës vjen pas këmbënguljes së Gjermanisë se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit – platformë jo-formale e Bashkimit Evropian (BE) që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit.

“Ne vlerësojmë përpjekjet dhe angazhimin afatgjatë të partnerëve tanë ndërkombëtarë për të promovuar tregtinë e lirë dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ambasada amerikane në Prishtinë për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë pas më shumë se një viti.

“Vendi që i takon Kosovës është në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Heqja e ndalimit për importin e produkteve nga Serbia është një hap në drejtimin e duhur drejt integrimit më të madh ekonomik rajonal, si dhe integrimit evropian”, ka theksuar ambasada amerikane, duke kujtuar se SHBA-ja mbështet nismat rajonale tregtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se do të ndryshojë masën e sigurisë për mallrat që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare në Merdare, deri në sigurimin e skanerëve të avancuar për identifikimin apo zbulimin e mallrave të paligjshme, armëve, eksplozivëve apo municioneve që nisen nga shteti fqinj.

“Kur të vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, që ta ketë kontrollin e shtuar, duke qenë se masat që kemi janë masa të sigurisë. Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kosova është në pritje të skanerëve të rinj që përdoren për të inspektuar kamionët apo maunet për mallra të paligjshme. Skanerët përdorin teknologjinë e rrezeve X për të krijuar imazhe të detajuara të përmbajtjes së një automjeti të transportit, pa pasur nevojë të hapin kontejnerët, duke mundësuar inspektime të shpejta në kufi.

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur masën e sigurisë ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga policia serbe përgjatë vijës kufitare. Megjithatë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për bllokimin apo kufizimin e mallrave serbe për shkaqe “sigurie” nuk është protokolluar asnjëherë.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit