Shasivari kërkon respektimin e vendimit të Speciales, Aleanca për Shqiptarët e kritikon ashpër

- Advertisement -

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka folur lidhur me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, vetëm tri ditë para shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në Facebook, të titulluar “Mesazh për Kosovën: Drejtësia nuk ka anë politike”, Shasivari ka theksuar se vendimi për fajësinë apo pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit duhet të merret vetëm nga gjykata, në bazë të ligjit dhe provave.

Ai ka vlerësuar se politika, emocionet dhe reagimet e qytetarëve në rrugë nuk duhet të ndikojnë në procesin gjyqësor.

“Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata. Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës. Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari. Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë. Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi”, ka shkruar ai.

Siç thotë ai, Kosova duhet ta pranojë qetësisht vendimin, gjyqësorin dhe të mbrojë integritetin e institucioneve.

“Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore. Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë. Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë: Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve. Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi. Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Ky është standardi evropian”, shkruan Shasivari.

Lidhur me këtë postim, ka reaguar ashpër Aleanca për Shqiptarët e cila e cilësoi atë si “skandaloze dhe politikisht të papranueshme”.

Në reagimin e saj, partia thekson se pavarësia e gjyqësorit dhe e drejta e çdo të akuzuari për një proces të drejtë nuk janë të kontestueshme, por kundërshton mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar konteksti historik i luftës në Kosovë.

“Por të flasësh për drejtësi duke krijuar simetri artificiale, pa përmendur agresionin e regjimit të Millosheviqit, masakrat, dëbimet, dhunën dhe mijëra viktimat shqiptare të luftës në Kosovë, është shtrembërim i realitetit historik”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, transmeton Klankosova.tv.

Subjekti politik e konsideron veçanërisht shqetësuese faktin që një ministër shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, sipas tyre, përdor një gjuhë që i afrohet narrativave të qarqeve proserbe.

ASh ka kritikuar gjithashtu referimin ndaj “standardit evropian”, duke argumentuar se Serbia ende nuk është përballur plotësisht me të kaluarën dhe me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Shqiptarët në Qeveri nuk janë aty për t’i dhënë legjitimitet narrativave të Stoilkoviqit”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Aleanca për Shqiptarët i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që ta sqarojë publikisht qëndrimin e tij lidhur me deklaratat e bëra për vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Të ngjashme

Të fundit