Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka reaguar lidhur me vendimin e Amir Rrahmanit për t’u larguar nga përfaqësuesja, duke theksuar se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e vlerëson kontributin e tij ndër vite, por nuk pajtohet me mënyrën se si është marrë ky vendim.
Shala bëri të ditur se kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me ish-kapitenin dhe ishte përpjekur t’i adresonte shqetësimet e tij, por pa arritur ta bindte të ndryshonte qëndrim.
“Në emër të FFK-së e falënderoj Amir Rrahmanin për gjithë kontributin. Pavarësisht se sa i papranueshëm është vendimi i tij, kjo nuk e fshin kontributin e tij. Megjithatë, as periudha dhe as kontributi nuk e arsyetojnë vendimin e tij”, deklaroi Shala.
FFK i kishte ofruar takim në Napoli
Menaxheri i Kosovës zbuloi se Federata kishte shprehur gatishmëri të udhëtonte edhe në Napoli për të diskutuar drejtpërdrejt me Rrahmanin dhe për të gjetur një zgjidhje.
“Isha në kontakt me Amirin për një kohë të gjatë. Jam munduar t’i adresoj vërejtjet e tij. I kemi ofruar që të shkojmë në Napoli dhe të flasim, por nuk ishte i gatshëm”, tha ai.





