Zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk pritet të çojnë në ndarje të re të partisë, por po e dëmtojnë atë politikisht, vlerëson opinionisti Azdren Shala.
Sipas tij, revolta e brendshme në LDK nuk lidhet vetëm me largimin e Abdixhikut, por edhe me rezultatet zgjedhore të partisë nën udhëheqjen e tij.
“E para e punës, zoti Abdixhiku e ka 47% të anëtarësisë kundër. Në teh të shpatës e ka kaluar mocionin e besimit në LDK në janar. Dikush mund të thotë kjo është demokraci. Jo, kjo nuk është demokraci, sepse nuk kanë qenë aty dy kandidatë në kuvend. Ato 45% nuk janë kundër Lumirit për shkak se janë pro dikujt tjetër; ata janë ekstra kundër Lumirit, në mënyrë të veçantë kundër Lumirit.
Kjo e para. E dyta, unë mendoj që zoti Abdixhiku… Po pyetja ka qenë: a jeni me Lumirin a jo? S’ka pasur kundërkandidat. Këqyre, e dyta, ku desha me bë theksin: kjo situatë që është sot, unë nuk e shoh si situatë që ka me pru ndarje të reja. Nuk ka ndarje të re të LDK-së, për këtë jam i bindur. Problemi është që kjo ndarje, ky fraksion, ky debat i brendshëm në LDK që bëhet kaq haptas publikisht, e dëmton partinë në proces.
Edhe unë mendoj që kjo nuk është revoltë vetëm për me heq Lumirin. Pa dyshim që, në fund të ditës, ai në vitin 2021 ka ardhur në krye të një partie me premtimin dhe projektin që ta nxjerrë të parën në zgjedhje. Ka dalë i treti, as i dyti jo. Këtu përgjegjësi duhet me dhënë politikisht. Kjo është pakënaqësia e këtyre njerëzve që i përmendëm, e zonjës Bajrami”, tha Shala
Shala shtoi se një pjesë e zyrtarëve të LDK-së po e shohin drejtimin e partisë si orientim drejt një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai gjithashtu pretendoi se së fundmi ka pasur një takim mes kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili sipas tij nuk është bërë publik.
“Tjetra që është më e rëndësishme: kjo kryengritje e brendshme në LDK është më shumë se kundër Abdixhikut. Është edhe përkundër tij për shkak të dështimeve. Tri palë zgjedhje, i treti. Nuk shihet as në horizont projekti i tij për një LDK të fuqishme, siç ka qenë në kohën e Rugovës. Kjo është një kryengritje për me ndalë një koalicion me Vetëvendosjen. Absolutisht po. Këta zyrtarë që dolën me kritika haptas, kryetarë komunash, deputetë të LDK-së, anëtarë të kryesisë, e që kanë me u rritë ditëve në vazhdim, e kanë një hall: në botëkuptimin e tyre, në leximin e tyre, Abdixhiku po e çon LDK-në drejt një koalicioni me Vetëvendosjen. Dje ka ndodhur takim mes Abdixhikut edhe Kurtit. Nuk është bërë publik”, tha ai në Rubikon të Klan Kosovës.






