Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ngritur shqetësime mbi prodhimin e KEK-ut gjatë ditës së sotme.
Duke paraqitur të dhënat, Shala thotë se vendi po mbulon rreth 80% të konsumit, me import.
“Në praktikë, kjo përbën një problem serioz, pavarësisht arsyetimeve nga KEK-ja në emër të riparimeve dhe një të ardhmeje më të mirë. Realiteti sot është prodhim minimal vendor, varësi ekstreme nga importi dhe ekspozim i plotë ndaj çmimeve të tregut”, shkruan Shala.
Shala vlerëson se o nuk është zgjidhje, por transferim i barrës te konsumatori, i shoqëruar madje me kosto shtesë si interesi i huasë ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s.
Sipas tij, këtë keqmenaxhim po e paguan konsumatori.
Ky është postimi i plotë i tij:
Nga të dhënat zyrtare të ENTSO-E shihet se sot, në orën 09:00, prodhimi nga KEK ishte vetëm rreth 121 MWh, ndërsa kërkesa për energji në të njëjtën orë ishte rreth 627 MWh.
Në mungesë të kapaciteteve të tjera prodhuese, kjo nënkupton se Kosova po mbulon rreth 80% të konsumit me import.
Ndërkohë, kapaciteti potencial i KEK është rreth 850 MWh, që do të thotë se sot po operon me vetëm rreth 14% të kapacitetit të tij.
Në praktikë, kjo përbën një problem serioz, pavarësisht arsyetimeve nga KEK në emër të riparimeve dhe një të ardhmeje më të mirë. Realiteti sot është prodhim minimal vendor, varësi ekstreme nga importi dhe ekspozim i plotë ndaj çmimeve të tregut.
Sa i përket importit, nuk jemi naivë, të gjithë e dimë kush janë akterët kryesorë në këtë treg.
Nga ana tjetër, ZRRE, për të shmangur kostot e larta të shkaktuara nga importi (sipas vetë ZRRE-së), po i zhvendos këto kosto për vitin 2027. Pra, nuk i eliminon, por i shtyn për vitin e ardhshëm, duke e futur konsumatorin në një barrë financiare që mund të bëhet e papërballueshme.
Kjo është qasja e këtij pushteti ndaj së ardhmes.
Kjo nuk është zgjidhje, por transferim i barrës te konsumatori, i shoqëruar madje me kosto shtesë si interesi i huasë ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s.
Nëse këto zhvendosje të kostove bëhen pa bazë të qartë ligjore, atëherë kjo nuk është më vetëm çështje politike apo teknike, por një çështje që duhet trajtuar institucionalisht.
Në fund, konsumatori po paguan për keqmenaxhim, për vendime të gabuara, për mungesë transparence dhe për përfitimet e grupeve të interesit në tregtimin e energjisë.






