28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

Sfidat dhe kërcënimet, Qeveria e Shqipërisë miraton strategjinë e re të sigurisë kombëtare

- Advertisement -

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë është miratuar Strategjia e re të Sigurisë Kombëtare, e hartuar nga një grup pune ndër-institucional nën drejtimin e MEPJ.

Strategjia synon të pasqyrojë, në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, sfidat dhe kërcënimet kryesore për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë, si edhe përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023-2028.

Ky dokument i rëndësishëm strategjik pason atë të vitit 2014, i cili, për vetë zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, nuk i përgjigjet më sfidave të sigurisë me të cilat përballët aktualisht vendi ynë.

Tipar themelor i dokumentit të miratuar sot, është pasqyrimi i qartë i përkatësisë politike ndërkombëtare të Shqipërisë, si anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, si dhe orientimi i qartë drejt veprimit në përputhje me analizën që i është bërë mjedisit strategjik të sigurisë, në nivel global, rajonal dhe kombëtar.

Kjo qasje pasqyrohet në vendosjen e 19 “Domosdoshmërive Strategjike”, të cilat do të orientojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të RSH-së, ndërkohë që zbatimi i këtyre domosdoshmërive është me rëndësi themelore për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në të tre nivelet dhe në harkun kohor 2023-2028.

Hartimi i dokumentit të ri është bërë duke pasur në konsideratë influencën e faktorëve të cilët pasqyrojnë natyrën në zhvillim të kërcënimeve të sigurisë në ditët e sotme.

Natyrshëm, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare pasqyrohen zhvillimet dinamike ndërkombëtare të cilat lidhen kryesisht me efektet shumëdimensionalë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe fakti që situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare ka krijuar një akumulim sfidash dhe kërcënimesh të cilat shtrihen nga dimensioni klasik i riaktualizimit të mbrojtjes ushtarake, terrorizmi, cënimi i demokracisë në shkallë globale, përdorimi dëmprurës i teknologjive në zhvillim, siguria ushqimore, e deri tek efektet e ndryshimeve klimatike.

Si të tilla, këto kërcënime shumëdimensionale sjellin me vete një pa-parashikueshmëri të lartë si dhe vështirësi objektive për përballimin e tyre efektiv në nivel thjesht kombëtar.

Hartimi i strategjisë është bazuar mbi një proces bashkëpunimi ndërinstitucional, aktiv dhe gjithëpërfshirës si dhe ka pasur kontributin e partnerit strategjik.

Gjatë këtij procesi janë analizuar me hollësi të gjithë elementët përbërës të sigurisë së RSH-së. Në këtë proces të rëndësishëm është marrë parasysh dimensioni i avantazheve krahasuese të RSH-së, dobësive të saj institucionale, mundësive që ofrohen vendit nga mjedisi strategjik aktual dhe rreziqeve që i kanosen atij, duke i vendosur ato në një projeksion dhjetëvjeçar, sa parashikohet të jetë jetëgjatësia e vetë strategjisë.

Më aprovimin përfundimtar të dokumentit të Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare, vendi ynë ka një dokument strategjik bashkëkohor i cili do të shërbejë për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në nivelet globale, rajonale dhe kombëtare, në harkun kohor 2023-2028./abcnews.al/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit