Senatori amerikan, Chris Murphy, tha dje në Beograd se nuk është në dobi të asnjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit dhe Serbia duhet të harmonizohet me perëndimin në qasjen ndaj Rusisë.
Senatori Murphy anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor bashkë me senatorin Gary Peters, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.
“Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë janë të një rëndësie thelbësore. Shtetet e Bashkuara mbështeten në Serbinë si partner ekonomik dhe politik. Sa herë që jam këtu, kam nevojë të theksoj se partneriteti ynë ekonomik është duke u forcuar, ne po forcojmë partneritetin tonë në fushën e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe sigurisht që dëshirojmë që Serbia t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por ne e vlerësojmë që Serbia votoi me ne në Kombet e Bashkuara”, tha senatori Murphy pas takimeve me udhëheqësit serbë.
Senatori Murphy tha se shpreson të vazhdojnë bisedimet me zyrtarët serbë për harmonizimin e politikave lidhur me sanksionet kundër Rusisë, duke nënvizuar se “e ardhmja e Serbisë është me SHBA-në dhe BE-në, jo me Rusinë”.
I pyetur nga gazetarët për të komentuar vizitën e shefit të Shërbimit serb të Zbulimit Aleksandar Vulin në Moskë, senatori Murphy tha se “nuk mendon që është në dobi të ndonjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit“.
Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë dhe vazhdon të ruajë lidhjet e ngushta me Kremlinin në radhë të parë për shkak të qëndrimit të Moskës kundër pavarësisë së Kosovës, që Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë shtuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë në hijen e luftës në Ukrainë. Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.
Senatori Murphy tha se të dyja palët duhet të hedhin hapat për zbatimin sa më parë të marrëveshjes.
“E di që përqendrimi këtu është në Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, por është e nevojshme që të dyja palët të hedhin hapa drejt zbatimit në të njëjtën kohë. Ne besojmë se Serbia duhet të përmbushë pjesën e saj të punës dhe Kosova duhet të përmbushë pjesën e saj. Në Kosovë kam thënë që duhet ta përmbushin detyrimin e tyre dhe të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe dhe se mund ta bëjnë këtë në përputhje me Kushtetutën e tyre”, tha senatori Murphy duke theksuar se nuk duhet humbur kohë.
“Nuk mendoj se duhet të kalojë edhe një vit për ta kuptuar si të krijohet Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kalojë edhe një vit që Serbia t’i përmbushë detyrimet dhe ta lejojë Kosovën që t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare”, tha zoti Murphy.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve, ndërsa Prishtina akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, për shkak të qëndrimeve të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. /VOA/