Selmanaj nuk do të jetë pjesë e listës për deputet të LDK

- Advertisement -

Driton Selmanaj ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës.
Përmes një deklarate publike, Selmanaj tha se vendimi i tij është marrë për të “ruajtur dinjitetin politik” dhe për të mos lejuar që kontributi politik të vlerësohet sipas “standardeve të momentit apo nevojave të përkohshme”.

Megjithatë, ai bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin në LDK si kryetar i Degës dhe shef i shtabit zgjedhor në Prizren, duke u zotuar për mobilizimin dhe fitoren e partisë.
Selmanaj theksoi se LDK-ja mbetet një ideal shtetformues dhe u shpreh i bindur se partia do t’u rikthehet vlerave të saj burimore, ku “parimet dhe merita janë themeli i çdo vendimi”.

Postimi i plotë:

Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Përgjatë gjithë angazhimit tim politik, kam besuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal, një mision shtetformues, një identitet politik dhe moral që ka mbajtur gjallë shoqërinë tonë, frymën institucionale dhe orientimin perëndimor të Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye, çdo përgjegjësi që më është besuar e kam trajtuar me përkushtim, me kujdes e ndershmëri dhe respekt ndaj vendit tim dhe anëtarësisë sonë të jashtëzakonshme.

Edhe në këto zgjedhje, si Kryetar i Degës dhe Shef i Shtabit Zgjedhor në Prizren, do të jem plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së, sepse besoj se Kosovës i duhet një LDK e fortë dhe me vizion të qartë shtetëror.

E me gjithë këtë, përkundër kërkesave të mëdha nga anëtarësia dhe strukturat tona, unë kësaj radhe kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

Ky nuk është vendim kundër LDK-së. Përkundrazi. Është një vendim për ta ruajtur dinjitetin politik dhe për të mos lejuar që kontributi politik të matet me standarde të momentit apo nevoja të përkohshme.

LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja është një ideal, është bindje është historia jonë përplotë lavdi dhe e ardhmja që garanton stabillitet dhe zhvillim të shtetit tonë!

Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë — në shërbim të LDK-së dhe të qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane, në përgjegjësinë shtetërore dhe në politikën me dinjitet.

Jam i bindur se LDK do ta rigjejë forcën për t’u kthyer plotësisht te vlerat e saj burimore, aty ku parimet dhe merita janë themeli i çdo vendimi.

Faleminderit secilit për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Zoti e bekoftë LDK-në,
Zoti e bekoftë Kosovën tonë!

Të ngjashme

Të fundit