Task-Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit ka sekuestruar rreth 3 mijë libra shkollorë dhe profesional.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se kjo u bë në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtat e Autorit të MKRS-së, Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Policisë së Kosovës.
Sekuestrimi i librave u bë në bizneset të cilat nuk kishin marrëveshje me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe se do të ndërmirren masa ndëshkuese konform ligjit.
“Task-Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, njofton mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se është në veprim dhe do të ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore. Task-Forca kundër piraterisë kërkon nga të gjithë personat të cilët pretendojnë se të drejtat e tyre janë duke u shkelur të drejtohen në organet kompetente, Inspektoratin e Tregut dhe Policinë e Kosovës.”, thuhet në njoftimin e MINT-it.