Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është iniciuar procedurë penale ndaj pronarit të restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet pranë Liqenit të Radoniqit në Gjakovë.
Sipas Pacollit, vendimi i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë së restorantit nuk është zbatuar.
Ajo ka bërë të ditur se sot, me asistencën e Policisë së Kosovës, është kryer një inspektim i radhës në këtë restorant.
“Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për mbyllje dhe vazhdimit të kundërligjshëm të punës është iniciuar procedurë penale ndaj pronarit të restorantit për vazhdim të kundërligjshëm të operimit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ministrja në detyrë ka theksuar se vendimet e institucioneve duhet të respektohen dhe se ujërat dhe prona publike e Kosovës duhet të mbrohen nga degradimi për interesa private.
“Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten pa kompromis”, ka deklaruar Pacolli.
Ndryshe, Pacolli të martën ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit e ka mbyllur restorantin dhe hotelin “Liqeni i Dukagjinit”, për shkak se rrezikon ujin e pijshëm.
Megjithatë, disa orë më vonë në një reagim në rrjetet sociale, “Liqeni i Dukagjinit” ka thënë se dyert e tyre janë gjithmonë të hapura./teve1.info/






