Sekuestrohen prona dhe para në Kosovë, rasti lidhet me trafikimin e narkotikëve në Suedi

- Advertisement -

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre suedeze ka rezultuar me sekuestrimin e pronave të paluajtshme, parave të gatshme dhe një automjeti në Kosovë, në kuadër të një hetimi për trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje të parave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze ka çuar në arrestimin e personit me inicialet A.G. dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se janë fituar përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit, rasti tashmë ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe shënon rastin e parë kur autoritetet suedeze kanë arritur të konfiskojnë pasuri jashtë territorit të tyre.

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për zbatimin përfundimtar të vendimit për pasuritë e konfiskuara në Kosovë.

Ndërkaq, sipas komunikatës së autoriteteve suedeze, personi A.G. ishte arrestuar në rajonin e Goteborgut, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve në përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe shpëlarje të rëndë të parave.

Gjatë operacionit janë kryer kontrolle dhe bastisje në të dyja shtetet. Në Kosovë janë sekuestruar prona të paluajtshme, para të gatshme dhe një automjet, ndërsa në Suedi janë siguruar sende me vlerë dhe materiale digjitale, të cilat do të shërbejnë për vazhdimin e hetimeve dhe analizimin e rrjedhave financiare.

Prokurori shtetëror suedez, Daniel Larson, nga Autoriteti Suedez për Krimet Ekonomike, ka vlerësuar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke theksuar se ai ka qenë vendimtar për realizimin e sekuestrimeve.

“Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës është karakterizuar nga profesionalizmi i lartë dhe gatishmëria e plotë për bashkëpunim, gjë që ka qenë parakusht për sekuestrimin e pronave të paluajtshme, parave të gatshme dhe një automjeti në këtë rast”, ka deklaruar Larson.

Ai ka theksuar se autoritetet suedeze po zbatojnë legjislacionin e ri, i cili mundëson konfiskimin e pasurive edhe kur ato ndodhen jashtë territorit të Suedisë.

Edhe Policia suedeze ka bërë të ditur se qëllimi i operacionit ka qenë goditja e krimit të organizuar dhe konfiskimi i përfitimeve të realizuara përmes veprimtarive kriminale, pavarësisht vendit ku ndodhen ato.

“Krimi nuk duhet të shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nëse dikush përpiqet t’i fshehë përfitimet nga aktivitetet kriminale jashtë vendit. Ne do t’i gjejmë ato dhe synimi ynë është konfiskimi i tyre”, ka deklaruar Tomas Stakeberg Jansson, shef në Policinë e rajonit perëndimor të Suedisë.

Hetimet udhëhiqen nga prokurorët shtetërorë Daniel Larson, nga Autoriteti Suedez për Krimet Ekonomike, dhe Håkan Larsson, nga Njësia Kombëtare për Luftimin e Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar (RIO), pranë Prokurorisë Suedeze.

Të ngjashme

Të fundit