“Se lejojmë mbylljen”, Komuna e Ferizajt thotë se Ministria e Arsimit s’e përfshiu në planifikimin buxhetor Universitetin e Ferizajt

- Advertisement -

Komuna e Ferizajt ka thënë se nuk e lejon mbylljen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj pasi tha se ditëve të fundit po konfirmohet se ky fakultet nuk është përfshirë në planifikim buxhetor nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Ministria e Financave.

Këtë vendim të Ministrisë, Komuna e konsideroi skandaloz, në shkelje të plotë ligjore dhe “mbi të gjitha një sulm institucional”.

“Ky është një skandal i llojit më të rëndë publik, një vendimmarrje që i mbyll dyert studentëve, një vendim që e lë kryeqendrën e ekonomisë së vendit, motorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës- Ferizajn, pa Universitet, pa mundësi për studentët, pa kualifikime akademike për nevojat e tregut të punës”.

Komuna kërkoi që Ministria ta rishqyrtojë urgjentisht këtë vendim dhe – siç tha – e lë kryeqendrën e ekonomisë së vendit “pa mundësi për studentët, pa kualifikime akademike për nevojat e tregut të punës”.

Reagimi i Komunës:

Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit!

Lajmi i ditëve të fundit që po konfirmohet edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, se përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 (kufijtë buxhetor për vitet 2027,2028 dhe 2029) nuk është përfshirë në planifikim buxhetor nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Ministria e Financave – financimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është skandaloz, në shkelje të plotë ligjore e mbi të gjitha një sulm institucional mbi një institucion universitar siç është USHAF, institucion ky që u themelua me sakrifica të shumta, me punë vetmohuese të jashtëzakonshme të profesoratit e stafit tjetër, me dije e përpjekje që lartësuan këtë Universitet në shembull jo vetëm për vendin por edhe më gjerë në kufijtë ndërkombëtar.

Ky është një skandal i llojit më të rëndë publik, një vendimmarrje që i mbyll dyert studentëve, një vendim që e lë kryeqendrën e ekonomisë së vendit, motorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës- Ferizajn, pa Universitet, pa mundësi për studentët, pa kualifikime akademike për nevojat e tregut të punës.

Kërkojmë urgjentisht nga Ministritë përkatëse të rishqyrtojnë vendimmarrjen e tyre, ashtu që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të ketë buxhetin e saj, të mund të funksionoj pa pengesa financiare apo administrative, në shërbim të dijes, në shërbim të mijëra studentëve.

Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit, Ferizaj nuk hesht për mbylljen e themelatës ku ndër vite u kualifikuan breza të tërë studentësh, ku dija rangohet e kualifikohet në nivel akademik.

Të ngjashme

Të fundit