Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me zhvillimet brenda kësaj partie, duke thënë se ka nisur një garë brenda saj, pjesë e së cilës, ai nuk është. Kësisoj, ka kërkuar Sadiku, derisa të përfundojë gara, që të mos pyetet rreth saj dhe se me kë është.
Sadiku, ka deklaruar edhe se ai do të vazhdojë që të flasë për idetë dhe vizionin mbi të cilin duhet të rritet LDK-ja.
‘’ Kur të përfundojë gara, kushdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes, do ta ketë bashkëpunimin tim. Ashtu siç kam vepru deri tash, do t’i respektoj vendimet e përbashkëta, edhe kur personalisht nuk pajtohem me shumicën apo udhëheqjen. Sepse unë besoj që partitë dhe shteti ndërtohen me bashkëpunim, jo me përçarje. Me punë, jo me intriga. Me ide, jo me grupe’’, ka shtuar ai.
Postimi i plotë:
Në LDK kam ardhë me punu. Me kontribu. Me bo diçka të mirë për vendin tim.
Zgjedhjen për me qenë pjesë e LDK e kam bo vetë. Me bindje, me besim dhe me dashni.
Por nuk kam ardhë në LDK me luftu brenda LDKs. Nuk kam ardhë me kriju grupe, ndarje apo dallime mes njerëzve.
Përkundrazi. Besoj që sa më shumë njerëz të mirë të ketë LDK-ja, aq më e fortë bëhet ajo. Besoj që LDK-ja, kur është në pushtet, qeveris dhe performon më mirë se çdo parti tjetër në Kosovë.
Tash ka nisë një garë brenda LDK-së, në të cilën unë nuk marr pjesë. Nuk garoj për lidership dhe nuk kam aspirata të tilla. Të paktën jo tash.
Prandaj, deri sa të përfundojë kjo garë, ju lus mos më pyesni rreth kësaj dhe me kënd jam.
Por do të vazhdoj me folë për idetë dhe vizionin mbi të cilin besoj se duhet të rritet LDK. Dua me folë për projektet dhe problemet. Për qëllimet dhe gabimet. Për atë që kemi bo mirë, por edhe për atë që duhet ta ndryshojmë.
Sepse LDK-ja nuk rritet duke zgjedhë anë, por duke ndërtu ide, duke pranu gabimet dhe duke ofru zgjidhje
Jam në LDK. Jam me Kosovën.
Kur të përfundojë gara, kushdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes, do ta ketë bashkëpunimin tim. Ashtu siç kam vepru deri tash, do t’i respektoj vendimet e përbashkëta, edhe kur personalisht nuk pajtohem me shumicën apo udhëheqjen.
Sepse unë besoj që partitë dhe shteti ndërtohen me bashkëpunim, jo me përçarje. Me punë, jo me intriga. Me ide, jo me grupe.
Ndërkohë, unë po vazhdoj me punu.
Dje i kam dorëzu 15 amendamente për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Jam duke punu edhe në amendamente të tjera, për ligje të tjera që besoj se mund dhe duhet të përmirësohen.
Dhe krejt në fund, një porosi për ata që mendojnë se politika funksionon me logjikën: “Nëse s’je me mu, je me ata.”
Ata që mendojnë kështu janë ende shumë larg fitores dhe lidershipit.






