Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që partitë opozitare të ndryshojnë mënyrën e opozitëberjes.
Ai ka bërë me dije se në këtë mandat opozita duhet të organizojë edhe protesta qytetare.
Në emisionin “Intervista Nacionale”, Hoti ka thënë se vetëm protestat qytetare e detyrojnë të reflektojë mentalitetin e Qeverisë Kurti.
“Absolutisht që po. Jam i bindur që ndër format e opozitëbërjes që e detyrojnë këtë mentalitet qeverisës që të reflektojë është protesta qytetare. Jam i bindur sikur të arrinim si opozitë, dhe në veçanti si Lidhje Demokratike e Kosovës, të organizonim qytetarët e komunitetin e biznesit në veçanti për projektin e gazit(amerikan), ndoshta situata do të ishte pak më ndryshe. Sikur të organizoheshin shumë më fuqishëm për procesin e dialogut, ndoshta nuk do të arrihej marrëveshja e Brukselit dhe aneksi atje në Ohër”, ka thënë Hoti.
Deputeti i LDK-së ka vlerësuar se opozitës fillimisht në këtë mandat duhet t`i kthehet vetes.
Sipas tij, opozitës i duhen energji të reja në mënyrë që qytetarët ta shohin si mundësi.
“Unë besoj që në këtë mandat të gjitha këto duhet të jenë jo vetëm si opsione, po duhet të jenë si mekanizma që duhet t’i përdorë opozita në mbrojtjen e kauzave qytetare. Por opozita ka nevojë për energji, ka nevojë për një shpirt të ri, ku njerëzit të shohin si mundësi, si mundësi për të realizuar objektivat e tyre. Nuk mund të mjaftohemi ne me pyetje parlamentare dhe me kritika që i bëjmë në Kuvend në mënyrë, si me thënë, individuale, deputetët individualisht. Duhet të ketë strategji të qartë opozitare nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ta përballur këtë pushtet me lëshimet që ka bërë, në mbikëqyrje të punës që po bën, dhe në ofrimin e vizionit të ri se si duhet të udhëhiqet ky vend”, është shprehur Hoti.
Ndër të tjera, Hoti ka folur edhe për pritjet rreth presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.
Ai ka treguar se pret që presidentja e re të mos jetë si Vjosa Osmani.
“Unë shpresoj që tash presidentja e re do të mbajë një distancë nga politika ditore dhe nuk do të jetë, si me thënë, në funksion dhe në shërbim të politikës ditore, të përplasjeve politike që nganjëherë janë të pritshme të ndodhin në skenën politike, por do ta mbajë pra këtë distancë dhe do ta kryejë detyrën e vet në përputhje me Kushtetutën, sepse roli i asaj zyre është që të mbajë balancën e pushteteve, të jetë në njëfarë mënyre mbi palët. Unë pres që presidentja e re të kryejë këtë rol. Ajo ka gjithë përvojën e duhur në këtë drejtim, ka përvojë edhe institucionale, ka përvojë edhe akademike, dhe pres që do ta kryejë punën siç kërkohet me Kushtetutë”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së në këtë intervistë ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme në LDK-së dhe nevojën e ndryshimit të lidershipit në këtë parti.
Ai ka theksuar së LDK-ja ka mjaftueshëm kuadro, të cilët do ta rikthenin këtë parti aty ku e ka vendin.






