Rusia e godet me sulm të dyfishtë me dronë një qendër tregtare në Ukrainë, 15 të vrarë

- Advertisement -

Së paku 15 njerëz janë vrarë nga një sulm i dyfishtë me dron i forcave ruse ndaj një qendre tregtare në qytetin qendror ukrainas, Kryvyi Rih, thanë zyrtarët lokalë.

130 persona të tjerë, përfshirë 23 fëmijë, pësuan lëndime në qendrën më të madhe tregtare të qytetit. Disa njerëz të tjerë raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, sipas BBC-së.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmi “absolutisht cinik dhe i neveritshëm” ndaj qytetit të tij të lindjes u krye “në dy valë” dhe vala e dytë i pati në shënjestër punëtorët e ekipeve emergjente.

Në pamje dramatike që i pa BBC-së shihet droni i dytë që e godet qendrën tregtare që tashmë po digjej në rajonin e Dnipropetrovskit. Ushtria ruse nuk ka komentuar.

Kreu rajonal i Dnipropetrovskit, Oleksandr Hanzha, tha të premten në mbrëmje se ishin konfirmuar 15 të vdekur, përfshirë dy njerëz që vdiqën më vonë në spital.

Ai tha se 130 njerëz janë lënduar, përfshirë 29 në gjendje serioze. Ka frikë se numri i të vdekurve do të rritet.

Ekipe shpëtimi nga katër rajone të tjera ukrainase do të dislokohen urgjentisht në vendin e ngjarjes për ta ndihmuar kërkimin për të mbijetuar.

Të ngjashme

Të fundit