Rudina Jasini largohet nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit

- Advertisement -

Juristja shqiptare Rudina Jasini nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Mbrojtjes së Rexhep Selimit në procesin gjyqësor ndaj tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Vendimi është marrë nga udhëheqësi i mbrojtjes së Selimit, Geoffrey Roberts më 27 mars.

“Më 27 mars 2026, mbrojtësi i Rexhep Selimit, Z. Geoffrey Roberts, i ka dërguar një letër udhëheqësit të zyrës së mbrojtjes duke deklaruar se ka vendosur t’ia ndërpres kontratën Znj. Jasini si bashkëmbrojtëse e Z. Selimi me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Regjistrit.

Angazhimi i Jasinit në Dhomat e Specializuara, përfundoi zyrtarisht më 7 prill, 2026.

Jasini, studiuese e specializuar e të drejtës penale ndërkombëtare dhe profesoreshë në Oksford, është avokatja e parë shqiptare në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në rastin Haradinaj.

Pas pesë vitesh angazhim në mbrojtjen e dhjetëshit të luftës së UÇK-së, Jasini ndau përshtypjet e saj mbi procesin e madh të Speciales duke e cilësuar teatër absurditeti dhe tentim për rishkrimin e historisë.

“Ky proces gjyqësor që u kthye në teatrin e absurditetit, ku një Prokurori është përpjekur të rishkruaj historinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi përmes akuzave të shtrembëruara. Por historia nuk mund të shkruhet as në atë sallë gjyqi dhe as në sallonet e Brukselit dhe Uashingtonit. Ajo është shkruar me sakrificën e qytetarëve të Kosovës, me gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe me jetën e dëshmorëve”, shkruante Jasini një ditë para fjalëve përfundimtare të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Të ngjashme

Të fundit