14.3 C
New York
Friday, April 26, 2024

Buy now

Rruga pandemike e artistëve kosovarë

- Advertisement -

Mesi i muajit mars të vitit 2020, shënon edhe mbylljen e parë në Kosovë, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Institucionet kulturore në Kosovë, pushuan aktivitetet e tyre të përditshme publike artistike, për shkak të masave kufizuese, që u futën në fuqi nga Qeveria e Kosovës, por me këtë rast pushuan edhe aktivitetet e grupeve të ndryshme të artistëve, e madje edhe ato individuale.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, ani pse nuk kishte mbyllje totale, për shkak të pamundësisë së grumbullimit të njerëzve, e për shkak të kujdesit për mospërhapje të virusit COVID-19, realizimi i aktiviteteve artistike, vazhdoi të jetë i vështirë.

Megjithatë, artistët kosovarë, në mes të kësaj situate, gjetën një rrugë që i dërgonte drejtë ideve të reja artistike, e kjo ishte ajo e reflektimit.

Një gjë të tillë e bëri edhe Granit Uka, i cili aktualisht është aktor dhe skenarist i serialit vendor “Hetuesia”.

Ai për Klankosova.tv tha se periudha pandemike i ka ndihmuar në aspektin profesional.

“Profesionalisht ky vit më ka ndihmuar. Nuk ka pasur ndonjë fazë më të mirë sa i përket aspektit profesional sesa ditët e pandemisë, kjo në kuptimin e asaj që reflektimi, meditimi dhe nevoja për të bërë diçka në të mirë të audiencës ka prodhuar ide dhe ka vënë në punë më lehtë se herëve të tjera”.

“Pavarësisht se realizimi i këtyre ideve në kohën e izolimit total ishte i pamundur e pastaj pas lirimit të pjesshëm ishte prapë i vështirë, megjithatë ia dolëm që me kujdes të shtuar, e duke respektuar masat antiCOVID të realizojmë ato ide që ishin rezultat i reflektimit gjatë izolimit. Pra, pos pjesës së shqetësimit e stresit, e kishte edhe këtë anë të mirë”, u shpreh Uka.

Aktori Uka tregoi si ndikoi kjo periudhë tek ai edhe në aspektin personal.

“Viti pandemik për shumë njerëz ishte vit i dëshpërimit vit i mërzitshëm e vit që nuk harrohet lehtë. Personalisht jam mundu gjatë gjithë kohës që ky vit për mua të jetë një vit i reflektimit e meditimit, jam munduar që kohën ta shfrytëzoj siç e shfrytëzoja dikur kur isha i lirë nga puna e nga përgjegjësia që kam në ditët e sotme, jam munduar që fokusin ta kthejë kah familja ime si asnjëherë më parë. Jam munduar që raporti im më Zotin të jetë si asnjëherë më parë.Viti pandemik për mua ngjalli më shumë empati tek unë dhe u bëra i ndjeshëm si asnjëherë më parë. Ky vit do të jetë një vit që nuk do ta harrojmë kurrë, por shpresoj që të mbetet si referencë për ne gjatë gjithë jetës”, u shpreh Uka për Klankosova.tv.

Se ky ishte një vit reflektimi dhe i ideve të reja, u shpreh edhe aktori Agan Asllani i cili aktualisht është pjesë e disa projekteve në vend, si seriali  “Kryetari i mirë me shokë shumë”, “Ҫka ka shpija” etj.

Ai madje tha se gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi për shkak të pandemisë COVID-19, së bashku me kolegët e tij, kanë arritur të përfundojnë një projekt.

“Unë me disa kolegë të mi ishim në proces të disa punëve dhe pamundësia për t’u takuar na ka shtyrë që të “mblidhemi” çdo mbrëmje dhe të bëjmë “Brain storme” , e ku erdhi edhe deri tek finalizimi realizimi i projektit “Ustahu”, ku mendoj se është i analizuar deri në detaje të fundit, kjo për shkak të pandemisë, e cila na mundësoi të thellohemi në analiza qoftë të karaktereve, skenarit dhe idesë në përgjithësi, u shpreh Asllani.

Agan Asllanin kjo periudhë e bëri edhe më aktiv në rrjetet sociale, gjithashtu i dhuroi edhe kohë shtesë për familjen.

“Pas hutisë, frikës, panikës, erdhi një kohë reflektimi, e qetësie. Me mbylljen totale gjetëm kohë për shumë gjëra, ku në një ‘normalitet’ ankoheshim se s’po gjejmë kohë. Duke filluar nga ndejat e gjata me familje e fëmijë! Pastaj,  filluam të zhvillojmë edhe kreativitetin artistik , ku mua personalisht më ka bërë që të jem aktiv në rrjete sociale, kryesisht me video humoristike, ku mendoja që t’i argëtoj njerëzit , duke filluar nga vetja ime , fëmijët e mi, gruan time dhe audiencën e gjerë që më ndjekin nëpër rrjete sociale”, tha Asllani për Klankosova.tv.

Shkak për nisjen e një projekti të ri, pandemia u bë edhe për aktorin Arianit Hoti, i cili gjithashtu është i angazhuar në disa projekte vendore, si “FC Lata” e Hetuesia.

“Është vërejtur në të gjithë botën se tek artistët pandemia ka ndikuar pozitivisht. Edhe në vendin tonë kanë dal njerëz të rinj që i kanë dhënë një ngjyrë tjetër pozitive artit. Unë personalisht gjatë kësaj kohe kam filluar të shkruaj skenar, është hera e parë për mua që kam provuar të bëj një gjë të tillë”.

“Ka rezultuar me një projekt të cilin kam ambicie që të jetë njeri ndër projektet më serioze që është punuar në vend. Pilot projekti është xhiruar dhe po punohet në mënyrë shumë profesionale. Shpresoj që pandemia t’i ketë pasur edhe dobitë e veta tek shumë njerez, jo vetëm në vend, por edhe në botë. Bashkëndjej me të gjithë ata që pësuan”, u shpreh Hoti për Klankosova.tv.

Tutje, tre artistët shfrytëzuan rastin që t’iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID që janë në fuqi, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit