12 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Rriten rastet e sëmundjeve të tiroides – Sadiku: Analizat në QMF mund të bëhen çdo ditë

- Advertisement -

Numri i të prekurve nga sëmundjet e gjëndrës tiroide, një prej organeve më të rëndësishme, e cila gjendet në pjesën e parme të qafës, po rritet gjithmonë e më shumë në Kosovë. Kështu kanë bërë të ditur ekspertët shëndetësorë, të cilët kanë treguar për Ekonomia Online statistikat dhe trendet e fundit të sëmundjeve të kësaj gjëndre.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se analizat e gjëndrës tiroide, mund të bëhen çdo ditë pune të javës, nga e hëna në të premten, për dallim nga më herët kur analizat e tilla janë bërë vetëm një herë në javë.

Duke pasur parasysh shtimin e rasteve, ku vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë bërë 12 mijë analiza, një rritje prej 100 për qind, Sadiku ka thënë për EO se po synojnë që analizat e tiroides të bëhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë.

Aktualisht analizat e tilla mund të bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe në dy qendra tjera, në Dardani dhe Breg të Diellit.

“Sëmundjet e gjëndrës tiroide bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve kronike jo infektive që fatkeqësisht së bashku me sëmundjen e diabetit janë sëmundje që po rriten gjithnjë më shumë. Duke pasur parasysh nevojën e madhe për numrin e madh të pacientëve nga kjo sëmundje ne nga viti i kaluar kemi vendosur që analizat e gjëndrës tiroide T3, T4 dhe TSH, të bëhen çdo ditë. Deri atëherë janë bërë vetëm një herë në javë, ndërsa sot bëhen çdo ditë, nga e hëna deri të premten. Këtë vit nga qershori kemi vendosur që këto analiza të shpërndahen dhe të distribuohen në Qendrat tjera të Mjekësisë Familjare, me qëllim që ta zvogëlojmë numrin e pritjes dhe t’ua ofrojmë mundësinë qytetarëve që këto analiza t’i bëjnë më afër në lagjen e vet”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, këto analiza janë shumë të rëndësishme sepse sëmundja duhet të trajtohet dhe përcillet vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Përveç ndikimit në shëndet, ai pohon se kjo ka një efekt pozitiv edhe në xhepin e pacientëve.

“Këto analiza kanë filluar nga qershori të bëhen edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani dhe në Breg të Diellit. Qëllimi ynë është që gradualisht të fillojmë edhe në lagjet e tjera që të bëjmë këto analiza, sepse këto analiza janë të domosdoshme. Kur pacienti diagnostikohet me këtë sëmundje, duhet të trajtohet gjatë gjithë jetës, dhe për këtë arsye atij i nevojitet ta përcjellë gjendjen e të sëmundjes. Njëra ndër mënyrat është për të bërë analizat më të shpeshta. Kjo e bënë të domosdoshme që, duke ditur buxhetin për kategorinë e të moshuarve, është shumë e mirëseardhur që kjo analizë të bëhet çdo ditë”.

Tutje, drejtori ka deklaruar se është rritur për 100 për qind interesimi i pacientëve e se vetëm gjatë gjashtë mujorit të këtij viti janë bërë 12 mijë analiza.

“Është rritur 100 për qind interesimi nga qytetarët, vetëm gjatë këtij gjysmëvjetori, kemi pasur mbi 12 mijë analiza të tilla që janë bërë, të gjëndrës tiroide dhe analiza që përcaktojnë matjen e nivelit të sheqerit që bëhet çdo tre muaj tek personat me diabet. Së bashku me këtë analizë është rritur kërkesa qind për qind, duke pasur parasysh se sëmundja e tiroides është sëmundje shprehur tek qytetarët. Këto analiza përsëriten shpesh, çdo tre muaj. Secila analizë së paku kushton pesë euro, 20 euro është komplet kostoja e ndonjëherë edhe më shumë. Nga kjo shihet se sa ka rëndësi edhe në përcjelljen e sëmundjes, por njëkohësisht edhe për xhepin e qytetarëve”, ka theksuar Sadiku.

Ndonëse, nuk ka statistika të sakta se sa njerëz vuajnë nga sëmundja e gjëndrës tiroide në Kosovë, edhe specialistja e Mjekësisë Familjare, Mide Morina ka thënë se analiza e kësaj sëmundje është e rëndësishme, ndër tjera për zbulimin e sëmundjeve të tjera që mund të jenë kancerogjene.

“Ka interesim të lartë për ta bërë testin e gjëndrës tiroide, duke filluar prej fëmijëve, prej moshave të vogla që i kemi të udhëzuara nga pediatria, po ashtu edhe pacientët tanë që kanë indikacionet për gjëndrën tiroide. Gjëndra tiroide prodhon hormone që kontrollojnë sisteme të ndryshme të trupit dhe është gjëndra më e madhe në sistemin endokrin. Në bazë të shenjave që jep pacienti, qoftë nga shikimi i parë i pacientit, duke filluar prej lodhjes, rëniës së flokëve, tharjes së lëkurës, atëherë udhëzohet pacienti për gjëndrën tiroide. Nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare kemi teste të gjëndrës tioride dhe na ka ndihmuar në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, duke filluar nga mos funksionimi i gjëndrës tiroide që është hipodiotizimi, zmadhimi i gjëndrës deri tek kanceri i gjëndrës tiroide”, ka thënë Morina.

Ajo ka thënë se është rritur numri i të interesuarve për të kryer analizat e gjëndrës tiroide, sepse sipas saj, shumica e pacientëve nuk e kanë ditur që e kanë atë sëmundje edhe pse kanë pasur simptoma.

“Thuajse çdo ditë kemi nga pesë-gjashtë pacientë që udhëzohen për të bërë testin e gjëndrës tiroide. Kkemi persona që asnjëherë nuk e kanë ditur se çka është kjo sëmundje. Është bërë zbulimi i gjëndrës tiroide që kanë shkuar me diagnostikimin e hershëm, që mund të jetë edhe në gjendje të rënda që mund të shkojë deri te kanceri. Këtu tek ne bëhen testet e gjëndrës tiroide, bëhet TSH, T3 dhe T4. Nëse na duhet analiza shtesë udhëzohet edhe për në biokimi që hyjnë analizat e tjera si prolaktina dhe anti-TPO. Duke filluar nga gjëndra tiroide ana gjinekologjike që është prolaktina që na flet për cista, për sëmundje kancerogjene. Shumë sëmundje zbulohen falë testeve të gjëndrës tiroide që bëhen tek ne”, shtoi ajo.

Megjithëkëtë, ajo theksoi se me sëmundje të gjëndrës tiroide preken edhe moshat e reja – vetëm në javën e kaluar, ka pasur dy raste, një tetë dhe 12 vjeçar.

“Kemi edhe mosha të reja. Ka pasur raste javën e kaluar të moshës 12 vjeçar dhe një tetë vjeçar. Tek 12 vjeçari kam dyshuar shtimin në peshë dhe e kam preferuar të bëjë gjëndrën tiroide. Na ka dalë Anti-TPO dhe Vitamina D e ulët. Kanë filluar me terapi. Në shumicën e rasteve është trashëguese”, theksoi ajo.

Po ashtu ajo njoftoi për të gjitha simptomat e gjëndrën tiroide dhe bëri thirrje që për çdo shqetësim të bëhen analizat.

“Në momentin që pacienti ndjen lodhje, plogështi, ndjen dhimbje të muskujve, lëkurë të thatë, kapsllëk, gjëndra tiroide është e zvogëluar, kurse hipertiroidizimi kemi energji të tepruar, pacienti ec shpejt, fol shpejt, është shumë aktiv – ky është hipërtiroidizimi, duhet të konsultohet për të zbuluar sëmundjet. Çdo shqetësim që buron nga gjëndra tiroide mund të pengojë cilësinë e jetës së pacientit”, shtoi Morina.

Ndryshe, gjëndrat tiroide të parregulluara mund të bëjnë që funksionet trupore të shpejtohen ose ngadalësohen në mënyrë drastike.

Hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra nuk prodhon mjaftueshëm hormone tiroide, duke shkaktuar lodhje, shtim në peshë dhe depresion. Hipertiroidizmi është e kundërta, ku gjëndra prodhon shumë hormone, duke çuar në humbje peshe, rrahje të shpejta të zemrës dhe ankth.

 

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit