Ronaldo e “mëson” se çfarë roli do të ketë tash e tutje te Portugalia

- Advertisement -

Cristiano Ronaldos i është bërë e qartë se duhet të pranojë një rol më të kufizuar te Kombëtarja e Portugalisë nëse dëshiron të vazhdojë rrugëtimin e tij historik me ekipin kombëtar.

Pas emërimit të Jorge Jesus si trajner i ri i Portugalisë, ish-presidenti i Benficës, Luis Filipe Vieira, ka deklaruar se sulmuesi legjendar nuk do të jetë më titullar i padiskutueshëm.

Emërimi i Jorge Jesus në krye të Portugalisë shënon një epokë të re për kombëtaren, e cila synon të lërë pas zhgënjimin e Kupës së Botës 2026.

Vieira, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Jesus gjatë kohës së tyre te Benfica, beson se 72-vjeçari është njeriu i duhur për ta udhëhequr Portugalinë.

Duke folur për “Antena 1”, ai u shpreh: “E njoh shumë mirë. Është një super profesionist. Nuk jam vetëm unë që e them këtë, por edhe lojtarët që kanë punuar me të. Të gjithë flasin në të njëjtën mënyrë. Mendoj se është zgjedhja e duhur. Është shumë e rëndësishme që Portugalia të ketë sërish një trajner portugez. I fundit ishte Fernando Santos, tani kemi Jorgen dhe besoj se ai ka të gjitha aftësitë për të bërë një punë që do të na bëjë të gjithëve të lumtur”.

Një nga sfidat më të mëdha për trajnerin e ri do të jetë menaxhimi i viteve të fundit të karrierës së Ronaldos me kombëtaren, pasi kohët e fundit është vënë shpesh në diskutim vendi i tij në formacion.

Sipas Vieirës, veterani me 233 paraqitje duhet ta pranojë se nuk do të luajë më në çdo ndeshje.

“Mendoj se ai di ta menaxhojë këtë situatë dhe do ta bëjë shumë mirë. Ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Ronaldon, pa dyshim. Edhe Ronaldo e di se fundi i karrierës po afrohet. Ai do të duhet të vendosë dhe, ndonjëherë, do të luajë, herë të tjera jo, e kështu me radhë,” tha Vieira.

Pavarësisht nëse roli i tij do të zvogëlohet, ndikimi i Ronaldos te Kombëtarja e Portugalisë mbetet i pakrahasueshëm në historinë e futbollit. Rekordet e tij për numrin e golave dhe paraqitjeve me kombëtaren kanë vendosur standarde që mund të mos thyhen kurrë nga një futbollist evropian.

Edhe pse kanë qarkulluar raportime se është përcaktuar koha e tërheqjes së tij, Jorge Jesus duket i vendosur që ky proces të zhvillohet me respektin që i takon një legjende të futbollit portugez.

Vetë trajneri i ri ka folur së fundmi edhe për spekulimet rreth një rinovimi të madh të skuadrës, duke bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime drastike.

“Njerëzit mund të mendojnë se trajneri i ri do të vijë dhe do të ndryshojë shumë lojtarë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk jam budalla. Për më tepër, nuk kam kohë të mjaftueshme për të afruar shumë lojtarë që nuk ishin të grumbulluar këtë herë,” deklaroi Jorge Jesus.

Të ngjashme

Të fundit