Policia e Kosovës njoftoi se janë gjetur mbetjet mortore të një personi i cili ishte raportuar i zhdukur në tetor të vitit të kaluar në Malishevë.
Policia tha se më 23 korrik 2026, në një zonë malore pranë fshatit Shkozë të Malishevës, u gjetën disa mbetje mortore, për të cilat dyshohej se i përkisnin H.S., mashkull i moshës madhore, i raportuar i zhdukur më 5 tetor 2025.
“Më datë 23 korrik 2026, në një zonë malore afër fshatit Shkozë, Malishevë janë gjetur disa mbetje mortore të cilat u dyshua që janë të personit H.S (mashkull, i moshës madhore) që ishte raportuar i zhdukur nga data 5 tetor 2025, rast ky për të cilin Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, ka zhvilluar operacione të njëpasnjëshme kërkim-shpëtimi, mirëpo pa rezultat në lokalizimin e tij”, thuhet në njoftim.
Mbetjet mortore, Policia tha se u dërguan për ekzaminim në IML.
“Mbetjet mortore të viktimes u dërguan për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për analizat përkatëse dhe sot jemi njoftuar zyrtarisht se ekzaminimi ka përfunduar dhe pas konsultimin me prokurorin e shteti mbetjet mortore u janë dorëzuar familjarëve”, thuhet në njoftim.
Sinjali raportoi më herët se bëhet fjalë për Halim Ramadan Sopajn, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga mëngjesi i 5 tetorit 2025.







