Ronaldo bëhet aktor dhe producent, do të marrë pjesë në një serial

- Advertisement -

Cristiano Ronaldo është gati ta nisë një kapitull të ri jashtë fushës së futbollit.

Superylli portugez do të debutojë si aktor dhe producent ekzekutiv në një serial të ri televiziv me temë futbollin britanik, ku do të jetë i përfshirë edhe legjenda franceze Thierry Henry.

Projekti quhet “Day 1s” dhe është një dramë që e tregon historinë e një menaxheri të fuqishëm futbolli, shkruan “Marca”.

Seriali do ta ketë në qendër personazhin imagjinar Stanley Dalton, i interpretuar nga aktori britanik Damian Lewis, ndërsa Ronaldo do ta ketë rolin e producentit ekzekutiv dhe një paraqitje në kast.

Në këtë produksion do të shfaqet edhe Thierry Henry, ish-ylli i Arsenalit dhe i Francës, me të cilin Ronaldo ka ndarë shumë duele gjatë karrierës së tij në Premierligë.

Për Cristiano Ronaldon nuk është hera e parë që paraqitet në skënë.

Në të kaluarën ishte pjesë e dokumentarit autobiografik “Ronaldo” në vitin 2015 dhe në serialin e Netflix “Soy Georgina”, i cili i ishte dedikuar partneres së tij, Georgina Rodriguez.

Përfshirja e dy ikonave të futbollit e ka rritur interesimin për serialin, i cili pritet ta tërheqë vëmendjen e platformave të mëdha të transmetimit.

Për Ronaldon, ky është një tjetër hap në zgjerimin e aktiviteteve të tij jashtë futbollit.

Pas një karriere të jashtëzakonshme si lojtar, portugezi po investon gjithnjë e më shumë në botën e biznesit dhe të argëtimit.

Të ngjashme

Të fundit