Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, foli për ITV pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë, që e siguroi kualifikimin e “Tre Luanëve” në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Megjithëse u shpreh i lumtur për arritjen, trajneri gjerman nuk e fshehu pakënaqësinë për mënyrën se si luajti skuadra e tij, përcjell “Gazeta Express”.
“Unë nuk kam folur për vuajtje, nuk e kam bërë kurrë. Sot ia bëmë jetën shumë, shumë të vështirë vetes. Rezultati është fantastik, jemi mes katër skuadrave më të mira të botës. Është diçka e jashtëzakonshme, por nuk jam aspak i kënaqur me paraqitjen tonë. Kishte përkushtim, por e ndërlikuam gjithçka me mënyrën se si luajtëm: ishim të pasaktë, bëmë shumë gabime teknike, nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë dhe as të rrezikshëm. Sot ishim edhe me fat”, deklaroi Tuchel.
I pyetur nëse problemi lidhej me mentalitetin e futbollistëve, ai u përgjigj:
“Nuk mendoj se është çështje mentaliteti. Është çështje cilësie. Duhet të luajmë më mirë.”
Trajneri anglez i vlerësoi edhe futbollistët që u aktivizuan nga bankina:
“Reece James ishte i shkëlqyer, Morgan Rogers e zhvilloi një ndeshje fantastike. Eberechi Eze dhe Djed Spence u rritën gjatë lojës dhe meritojnë vlerësime. Në përgjithësi, megjithatë, duhet ta pranojmë se sot patëm edhe fat.”
Për Jude Bellingham, autorin e një tjetër paraqitjeje të madhe, Tuchel nuk i kurseu elozhet:
“Nuk ka më asgjë për të shtuar. Ai e bën këtë në çdo ndeshje. Është një futbollist i klasit botëror.”
Në fund, Tuchel foli edhe për gjysmëfinalen me Argjentinën.
“Do të përmirësohemi, duhet ta bëjmë patjetër. Tani është momenti të festojmë dhe ta shijojmë këtë arritje. Kemi tri ditë kohë dhe do të na duhen të gjitha për t’u përgatitur.”






