Anglezi zbulon dallaverin që bëri mbrëmë tek koncerti i Kanye, bëhet viral me tregimin

- Advertisement -

Mbrëmë, Kanye West ndezi skenën në Shqipëri me një performancë që, ndonëse u mbajt mes shumë polemikave, dëshmoi të ishte një spektakël i vërtetë për të gjithë të pranishmit. Por, ndërkohë që vëmendja kryesore ishte te ylli botëror, një tjetër “legjendë” po lindte në turmë. Bëhet fjalë për një të ri të huaj, i cili përmes një marifeti gjenial me inteligjencën artificiale ka arritur të kalojë çdo masë sigurie për të dalë në rreshtin e parë, pa shpenzuar asnjë cent shtesë për zonën VIP.

Në një video që po bën xhiron e rrjetit në TikTok, ai e nis rrëfimin e tij duke e përshkruar eksperiencën si “natën më të çmendur të jetës” së tij. Si fillim, djali tregon se kishte hyrë në arenë me një biletë krejtësisht standarde. Por dëshira për të qenë sa më afër skenës e bëri të ndërmerrte një hap të guximshëm dhe të rrezikshëm.

“Thjesht i kërkova ChatGPT-së të më krijonte një biletë ‘Gold Standing’,” tregon ai në video. Me atë imazh të sajuar vizualisht në ekranin e telefonit, ai e kaloi shpejt e shpejt para rojeve të sigurisë, të cilët me gjasë të mbingarkuar nga fluksi masiv, e lejuan të futej brenda pa u thelluar për të skanuar barkodin.

Gjërat u bënë akoma më komike në vazhdim. Një çift gjermanësh, që ndodheshin aty pranë, e panë të gjithë skemën. Sipas të riut, ata iu lutën t’ua niste biletën fallco përmes opsionit Airdrop. Dhe çfarë ndodhi? “Funksionoi edhe për ta,” shprehet i riu i lumtur, duke treguar se të tre përfunduan duke shijuar madhështinë e koncertit aty ku bileta kushton qindra euro.

Tani që ia hodhi pa u lagur në një nga eventet më të diskutuara të vitit, ai shton se ka edhe katër ditë të tjera qëndrim në Shqipëri dhe i pyet hapur ndjekësit: “Çfarë dreqin të bëj ndërkohë që jam këtu?”.

Një pyetje që me siguri nuk kërkon më një përgjigje nga ChatGPT.

Të ngjashme

Të fundit