Në kongresin amerikan është prezantuar një rezolutë mbi të cilën kërkohet mbështetja e trupave të SHBA në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Në këtë rezolutë përmendet fakti që në vitet e fundit ka pasur tensione mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë si rasti i 6 gushtit 2022, sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjska, raporton Klankosova.tv.
Sipas kësaj rezolute një reduktim i turpave amerikane në personelin e KFOR-it do të ndikonte në stabilitetin dhe sigurinë në regjion.
Ndër kërkesat e kësaj rezolute me 6 pika e cila prezantohet nga demokrati Ritchie Torres është pohimi që vazhdimi i prezencës ushtarake të NATO-s në KFOR është vitale për të mirëmbajtur paqen dhe sigurinë në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe që trupat amerikane të mbeten në misionin e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë deri në përfundim të tij.
Kjo kërkesë vjen pas asaj të ditës së djeshme pasi kongresmeni amerikan, Keith Self, së bashku me dy të tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, paraqitën një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.






