Pak para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, kandidati për deputet Arbër Rexhaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, i ftuar në emisionin “Politiko”, u shpreh i bindur se partia e tij do të arrijë një rezultat edhe më të lartë se ai i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje synon të marrë mbi 60 për qind të votave, duke e tejkaluar rezultatin prej 51.1 për qind të arritur në zgjedhjet e fundit.
“Ne jemi në parafushatë dhe sot kemi prezantimin e programit politik, i cili po prezantohet nga kryeministri Albin Kurti. Ne nuk e kemi dashur opsionin e zgjedhjeve, pasi kemi ofruar kryetarin e Kuvendit, kemi ofruar ministra dhe emra konkretë. Me gjasë ata kanë menduar ta zvogëlojnë rezultatin e 51.1%, por më 7 qershor do të ndodhë e kundërta. Vetëvendosje do ta tejkalojë vetveten dhe, ashtu siç ka thënë kandidati për kryeministër Albin Kurti, do të kalojmë në 60%”, deklaroi ai në “Politiko”.






