Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka vlerësuar punën e gazetarëve në vend, duke thënë se roli i tyre mbetet i pazëvendësueshëm për zhvillimin e demokracisë.
Në një prononcim për KlanKosova.tv, Rexha tha se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të kryejnë punë të rëndësishme, por se edhe më tej përballen me sulme, presione dhe fushata denigruese nga drejtime të ndryshme.
“Kudo në botë ky 3 Maj shërben si reflektim për të vënë në pah punën e rëndësishme dhe të pazëvendësueshme për zhvillimin e secilës demokraci, të gazetarëve dhe të mediave. Në nivelin lokal në Kosovë, gazetarët vazhdojnë të bëjnë punë të madhe shumë të rëndësishme, por fatkeqësisht vazhdojnë të jenë target i sulmeve që vinë nga shumë palë nga shumë anë dhe më së shumti nga Qeveria e Kosovës nga partia më e madhe politike në vend. Edhe këtë vit ka pasur fushata të ndryshme kundër gazetarëve të shprehura në forma të ndryshme dhe natyrisht në hapësirën online përmes komenteve ofenduese dhe fyese”, tha ai.






