Marjana Koçeku, 25-vjeçarja që vitin e kaluar u përzgjodh nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, për të kandiduar për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, këtë javë iu bashkua protestave masive të studentëve që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Koçeku, e cila tashmë është deputete e pavarur, ishte njëra nga të rinjtë që Rama kishte përzgjedhur për t’u bërë fytyra e re e Partisë Socialiste.
Por, vetëm një vit më vonë, ajo iu bashkua protestuesve që dolën në rrugët e Tiranës për të kërkuar largimin e kryeministrit.
Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve Reuters, korrupsioni, mungesa e vendeve të punës dhe ndjenja e përgjithshme se qeveria nuk po punon në interes të qytetarëve kanë nxitur zemërim të madh në mesin e të rinjve shqiptarë.
Ky pakënaqësi shpërtheu këtë javë, kur protestues të rinj u mblodhën në kryeqytetin shqiptar, duke u vënë zjarrin ndërtesave qeveritare dhe bankave, si dhe duke hedhur gurë të shkëputur nga trotuaret në drejtim të policisë.
Qeveria dhe policia kanë dënuar aktet e dhunës gjatë protestave.
Sipas të dhënave të policisë, rreth 500 protestues janë ndaluar, ndërsa 330 prej tyre janë liruar. Po ashtu, 120 pjesëtarë të policisë dhe 45 protestues janë raportuar të lënduar.Megjithatë, numri i protestuesve të lënduar mund të jetë më i madh, pasi shumë raste nuk janë regjistruar zyrtarisht.
Reuters shkruan se trazirat në Shqipëri janë pjesë e një vale më të gjerë të aktivizmit studentor në Evropë. Edhe në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar protesta dhe bllokada të institucioneve arsimore për javë të tëra, duke kërkuar më shumë mësimdhënës dhe kushte më të mira në shkolla






