Qeveria e Republikës Demokratike të Kongos dhe grupi rebel M23 i mbështetur nga Ruanda kanë rënë dakord për një plan veprimi për bisedimet e paqes, ka raportuar BBC.
Në një deklaratë të përbashkët pas pesë ditësh bisedimesh në Zvicër, ata thanë se ishin zotuar të “ndjekin negociatat drejt paqes gjithëpërfshirëse dhe zgjidhjes së konfliktit” dhe të krijojnë një mekanizëm për të monitoruar armëpushimin.
Plan veprimi përcakton një afat kohor për bisedimet sipas një kuadri paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të, të cilin e nënshkruan në vitin 2025 – vetëm që luftimet të vazhdojnë më pas në lindje të RD të Kongos, e cila është përfshirë në konflikt për dekada.
Por mosmarrëveshjet mbeten për çështje që përfshijnë sanksionet kundër M23, lirimin e të ndaluarve dhe kohën e reformave politike.
Në negociatat e fundit morën pjesë M23, qeveria e RD të Kongos, Katari, SHBA-të, Republika e Togos, Komisioni i Bashkimit Afrikan dhe Zvicra pritëse.
“Palët ranë dakord të krijojnë një mekanizëm të ngarkuar me shqyrtimin e progresit dhe adresimin e sfidave në zbatimin e detyrimeve dhe angazhimeve sipas Marrëveshjes Kornizë të Dohas”, shtoi deklarata, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2025.
Ata zhvilluan “hapa dhe afate kohore të njëpasnjëshme”, ndërsa u zotuan gjithashtu për “fleksibilitet dhe kreativitet”, thuhet në deklaratë.
Ata gjithashtu ranë dakord të zbatojnë një mekanizëm për të monitoruar shkeljet e armëpushimit. Sekretariati i tij është krijuar dhe misioni i parë i verifikimit do të zhvillohet të hënën në Minembwe, një zonë e Kivu Jugor e prekur nga luftimet.






