Real Madridi po shqyrton një lëvizje befasuese për mesfushorin e Napolit, Scott McTominay, me klubin spanjoll që mund të tentojë transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas “The Sun”, 29-vjeçari skocez është shfaqur si një opsion për të përforcuar mesfushën e Real Madridit, pas formës së jashtëzakonshme që ka treguar që prej largimit nga Manchester United në vitin 2024.
McTominay u bë një prej figurave kryesore të Napolit në sezonin historik të titullit kampion në Serie A, duke kontribuar me 13 gola dhe gjashtë asistime. Paraqitjet e tij i siguruan edhe çmimin MVP të Serie A për sezonin 2024/25.
Forma e tij vazhdoi edhe në sezonin pasues, ku realizoi 14 gola dhe regjistroi katër asistime në 44 paraqitje në të gjitha garat.
Interesimi i Real Madridit vjen në një moment kur McTominay po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një mesfushor i nivelit të lartë, ndërsa një transferim në “Santiago Bernabéu” do të përfaqësonte një tjetër kthesë të madhe në karrierën e tij.






