Raportimi i vitit 1996: Si i nisi regjimi i Millosheviqit hetimet ndaj Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit

Ishte viti 1996, kur të gjitha gazetat e kohës kishin dhënë lajmin për hetimin që organet e regjimit të Millosheviqit kishin nisur ndaj grupit të Adem Jasharit. Gjyqtarja që e nisi hetimin ishte Danica Marinkoviq, apo siç njihet ndryshe edhe si gjyqtarja e Millosheviqit, ndërsa prokurori që e kishte në dorë rastin ishte Jovica Jovanoviq. 

- Advertisement -

Cak i hetimit ishin 15 luftëtarë të lirisë, ndër ta edhe komandanti legjendar Adem Jashari dhe Hashim Thaçi, shkruan Demokracia.com.

Ishte grupi që mori mbi supe organizimin e lëvizjes çlirimtare për të përmbysur regjimin gjakatar të Millosheviqit.

Gazeta “Bujku”, më 2 nëntor 1996, kishte raportuar për detajet e hetimit, duke thënë se ata akuzoheshin për krijimin e një “grupi terrorist”, i cili kryente trajnime në Shqipëri, mbante mbledhje në Prekaz të Poshtëm dhe kryente aksione kundër policisë serbe.

Sipas gjyqtares hetuese Danica Marinkoviq, të pandehurit dyshoheshin për vrasjen e policëve okupatorë serbë, Zvonko Jeftiq, Nebojsha Gjorgjeviq, Predrag Gjorgjeviq dhe Dragan Nishiq.

Sipas organeve okupatore serbe, të dyshuarit ishin: Besim Rama, Avni Nura, Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Zenun Kodra, Ali Januzi dhe Idriz Asllani.

“Ata janë furnizuar me një sasi të madhe armësh, municion dhe mjete shpërthyese, me pushkë automatike, pushkë me dylbi, revole, bomba dore, mina dhe mjete të ndryshme ushtarake. Një pjesë e armëve i paskan sjellë nga Shqipëria, një pjesë e kanë marrë nga depo të ndryshme”, thuhej në gazetën “Bujku” duke iu referuar dosjes hetimore.

Në këtë “rast penal” ishin angazhuar dy mbrojtës: Bajram Kelmendi dhe Gani Rexha, të cilët i mbronin të pandehurit. Për këtë rast, me gazetën “Bujku”, për herë të parë kishte biseduar Bajram Kelmendi, i cili kishte deklaruar se trajtimi për dy të arrestuarit ishte si në kohën e inkuzicionit. /Demokracia.com/

Të ngjashme

Të fundit