Ramadani paralajmëron kallëzim penal ndaj U.D. Presidentes: Shkeli ligjin për Auditorin e Përgjithshëm

- Advertisement -

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me propozimin për (ri)emërimin e Vlora Spancës në pozitën e Auditore së Përgjithshme të Kosovës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm.

Ramadani pretendon se propozimi përmban shkelje të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm, duke ngritur çështje lidhur me procedurën e ndjekur dhe kriteret ligjore për emërim.

Sipas tij, ligji nuk parasheh vazhdim automatik të mandatit dhe çdo emërim duhet t’i paraprijë një proces i hapur, i paanshëm dhe transparent i përzgjedhjes dhe intervistimit, i administruar nga komisioni përzgjedhës i caktuar nga Presidenti i Kosovës.

“Ligji nuk lejon vazhdim automatik të mandatit. Çdo emërim kërkon që propozimi të bëhet pas një procesi të hapur, të paanshëm dhe transparent të përzgjedhjes dhe intervistimit”, ka deklaruar Ramadani.

Deputeti ka ngritur gjithashtu dyshime lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore nga kandidatja, duke iu referuar, siç thotë ai, informatave të sinjalizuesve të mbrojtur me ligj për një hetim penal të mundshëm ndaj saj.

Ramadani ka bërë të ditur se për verifikimin e këtyre pretendimeve u është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ai ka ngritur edhe çështjen e kompetencave të U.D. Presidentes, duke argumentuar se propozimi për Auditoren e Përgjithshme nuk mund të bëhet pa u zhvilluar paraprakisht procedura e hapur e përzgjedhjes dhe intervistimit.

“Propozimit i paraprin procesi, ndërsa vendimmarrja i takon Kuvendit”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, konkursi i fundit për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm është shpallur më 14 prill 2021.

Ramadani i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta refuzojë propozimin dhe të kërkojë zhvillimin e një procedure të hapur në përputhje me ligjin.

Në fund, deputeti i Aleancës ka paralajmëruar edhe ndërmarrjen e veprimeve penale ndaj U.D. Presidentes.

“Do të paraqes kallëzim penal ndaj U.D. Presidentes për shkelje ligjore, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.

Të ngjashme

Të fundit