Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar ashpër përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për mungesë njohurish në çështjet e sigurisë kombëtare.
Në një reagim publik, Ramadani ka thënë se vendimet që lidhen me praninë e KFOR-it dhe rolin e Policisë së Kosovës janë rezultat i muajve të tërë të takimeve dhe diskutimeve.
Ai ka përmendur heqjen e pranisë statike të KFOR-it mbi Urë, ruajtjen e Manastirit të Deçanit nga Policia e Kosovës dhe patrullimin e përbashkët të kufirit nga KFOR-i dhe Policia.
“Këta mendjefëmijët e VV-së, me pozita të deputetëve apo në KQZ, as nuk kuptojnë dhe as nuk mësojnë gjë, pavarësisht sa shtrenjtë paguhen nga populli”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka pretenduar gjithashtu se këto çështje janë diskutuar me një numër të kufizuar personash dhe se në proces janë marrë parasysh edhe argumentet e tij profesionale.
Në fund, Ramadani u ka bërë thirrje përfaqësuesve të VV-së që, sipas tij, të angazhohen më shumë për shtetin dhe më pak në rrjetet sociale.
Postimi i plotë:
Mendjefëmijët e VV-së nuk duhet të flasin në tema të Sigurisë Kombëtare!
Këta mendjefëmijët e VV-së, me pozita të deputetëve apo në KQZ, as nuk kuptojnë dhe as nuk mësojnë gjë, pavarësisht sa shtrenjtë paguhen nga populli.
Kaq të padijshëm janë sa mjerë populli për ta!
Janë muaj të tërë takimesh e diskutimesh që kanë sjellë vendimin për:
1) heqjen e pranisë statike të KFOR mbi Urë;
2) ruajtjen e Manastirit të Deçanit nga Policia e Kosovës;
3) patrullimin e përbashkët KFOR-Polici të kufirit, që do të fillojë së shpejti, bashkë me dhënie të koordinatave. (Këtë për shembull as nuk e keni dëgjuar, as nuk ia kuptoni vlerën, sepse thjesht JENI FORT TË PADIJSHËM!)
Të gjitha këto janë trajtuar me një numër të caktuar të ngushtë njerëzish, ndër të cilët kanë vlerësuar argumentimet e mia profesionale direkte dhe publike.
Bëni ndonjë gjë për shtetin!
Mos rrini në facebook 24 orë!
P. S
Ndoshta edhe Abetarja ju hyn në punë sa për fillim






