Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë sërish në orët e hershme të mëngjesit në Tiranë, duke thënë se shkatërrimet në protestat e ditëve të fundit, “s’janë të studentëve”, por të “dorës opozitare”.
“S’mund të jenë studentët. Kjo nuk ka lidhje me studentët. E gjithë kjo flamë s’është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit s’ka të bëjë me hallet, problemet e aspiratat legjitime të gjithkujt që do jetë më të mirë. Kjo është ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare që ka djegur jo njëherë Shqipërinë por që është e gatshme ta djegë përsëri”, tha Rama.
“Si mund të nxiten të miturit të vëjnë maska dhe të shkulin trotuaret dhe të qëllojnë Policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke i hedhur në rrugë për agjendën e tjetërkujt. Dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë që nga viti 1912 e dijmë se e kujt është në 30 vitet e fundit”, shton Rama.
Sipas së parit të Qeverisë shqiptare, gjithçka që po ndodh aktualisht “nuk është rastësi”, pasi që po zhvillohet pikërisht në një kohë kur Shqipëria është më afër BE-së.
“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria hap një derë jeshile, sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka. Nuk është aspak rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është një provë dhe test i karakterit tonë”, tha Rama.
Protestat e studentëve në Shqipëri ndërkaq kanë hyrë në ditën e katërt. Ata po kërkojnë kushte më të mira jetese e edukimi, dhe mbi të gjitha, dorëheqjen e vetë Kryeministrit shqiptar, Edi Rama.






