Rama: Qeveria po na bllokon, operatorët privatë i dalin në ndihmë “Pastrimit” për largimin e mbeturinave në Prishtinë

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se operatorët privatë kanë nisur t’i dalin në ndihmë kompanisë publike “Pastrimi” për menaxhimin dhe largimin e mbeturinave në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se ky angazhim është bërë pas, siç pretendon ai, bllokadave të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës ndaj projekteve të Komunës së Prishtinës.

Ai ka bërë të ditur se Komuna kishte krijuar një kompani të re komunale të pastrimit, por se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ia kishte kthyer vlerësimin negativ.

Po ashtu, Rama ka deklaruar se marrëveshja me KfW-në për 100 kamionë shtesë për kompaninë “Pastrimi” nuk është realizuar, pasi, sipas tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë.

“E përderisa Qeveria na bllokon vazhdimisht, çmimin po e paguajnë qytetarët e Prishtinës! Prandaj, jemi detyru me kërku ndihmë nga UNDP-ja për angazhimin e operatorëve privatë, që t’i dalin në ndihmë kompanisë ‘Pastrimi’ në menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar Qeverinë, duke pretenduar se komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje po pengohen në realizimin e projekteve.

“Sepse kjo Qeveri ka vendosë me shpallë armik secilën komunë që nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje! Dhe kjo është marrja ma e madhe që e ka pa Kosova, me i lanë qytetarët pa shërbime, veç pse nuk ta kanë votu partinë!”, ka deklaruar Rama.

Ndërkaq, Rama ka bërë të ditur se bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë dalë në terren për të parë nga afër angazhimin e operatorëve privatë.

Në fund, ai u ka kërkuar falje qytetarëve për gjendjen e krijuar, duke theksuar se Komuna po kërkon alternativa për të siguruar shërbimet bazë.

“Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju. Për me gjetë alternativa e me i vu në punë, po na duhet kohë”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kryeqyteti nuk do të heqë dorë nga qytetarët e tij.

Të ngjashme

Të fundit