Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nën patronatin e Kryeqytetit është shënuar përvjetori i 70-të dhe 71-të i lindjes së heronjve Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Lladrovci.
Përmes një postimi publik, Rama tha se përkujtimi i figurave të rëndësishme të luftës për liri është dëshmi e respektit institucional dhe qytetar ndaj sakrificës për shtetin dhe lirinë e Kosovës.
“Nën patronatin e Kryeqytetit, me krenari dhe respekt të veçantë, u shënua përvjetori i 70-të dhe 71-të i lindjes së Fehmi Lladrovci dhe Xheve Lladrovci”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës theksoi se sakrifica për liri nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe se historia e kombit shqiptar mbështetet mbi figurat që, sipas tij, i dolën zot atdheut në momentet më të vështira.
Ai shtoi se Prishtina do të mbetet vendi ku nderohen heronjtë, ruhet memoria kombëtare dhe bashkohen shqiptarët rreth idealeve të lirisë, dinjitetit dhe shtetit.
“Një popull që respekton heronjtë e vet, nuk humb kurrë rrugën e historisë dhe shtetësisë”, theksoi Rama në postimin e tij.






